Amerika “pushtohet” ditën e pavarësisë

schedule22:45 - 3 Korrik, 2019

schedule 22:45 - 3 Korrik, 2019

Festimet për ditën e Pavarësisë në Shtetet e Bashkuara kanë përçarë opinionin publik amerikan. Shkak është bërë kostoja e celebrimeve, për të cilat presidenti Donald Trump ka kërkuar edhe një paradë ushtarake.

Ushtria amerikane u ka bërë thirrje banorëve të Uashingtonit që të mos tremben nëse në rrugët e qytetit shohin tanke lufte. Gjithçka është bërë me kërkesë të presidentit Donald Trump, për festimet e ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Përmes një postimi në profilin e tij në Tëitter, Trump u shpreh se festimet e 4 Korrikut këtë herë do të jenë më të bukurat e të gjitha kohërave. Përveç tankeve, në event do të jenë të pranishëm edhe avionë luftarakë që do të fluturojnë në qiejtë e Uashingtonit. Krahas kësaj, do të ketë edhe një spektakël fishekzjarresh, si dhe një fjalim të presidentit Trump pranë memorialit Linkoln. Nga mediat amerikane mësohet se shefi i Shtëpisë së Bardhë ka ftuar edhe krerët e Departamentit të Mbrojtjes që të jenë pranë tij gjatë festimeve. Por parashikimet meteorologjike kërcënojnë t’i prishin festën zotit Trump.

Sipas meteorologëve, ditën e enjte jo vetëm që do të ketë reshje, por edhe stuhira. Por ajo çfarë ka përçarë opinionin publik amerikan lidhur me festën është kostoja e saj prej 2 milionë dollarë e gjysmë. Kritikët e presidentit e shohin atë si një shfaqje politike të papërshtatshme dhe si një keqpërdorim që do t’u bëhet fondeve publike. Nga ana e saj, administrata Trump nuk ka bërë të ditur se sa para të taksapaguesve do të shpenzohen më 4 Korrik, por në postimin e tij në rrjetet sociale, kreu i shtetit ka nënvizuar se shpenzimet do të jenë shumë më të ulëta krahasuar me vlerën. /ABC News Albania 24/7