Një trup i dekompozuar i gjetur në vitin 2017 në Kodër Shupal u identifikua nga Policia e Tiranës si Menduh Kurt-Deda. Për vrasjen e tij u arrestuan Gazmir Ngota 39 vjeç dhe Marjeta Karaj 56 vjeçe. Ndërsa djali i kësaj të fundit, Besmir Karaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ka rezultuar se ndodhet në Itali.
Shkak i ngjarjes së rëndë të ndodhur 5 vite më parë në zonën e Dajtit në kryeqytet është bërë një borxh prej 10 mln lekësh që viktima nuk ia kishte shlyer Marjeta Karajt, me të cilën kishin krijuar një fondacion për kujdesjen e fëmijëve jetim të ushtarakëve, brenda e jashtë vendit. Dyshimet janë se mes tyre kishte edhe një lidhje intime.
Menduh Kurt-Deda, me origjinë nga Dibra banonte në Lukovë të Sarandës, por për shkak të borxheve fshihej në Tiranë.
Detajet i bëri me dije në një konferencë për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika.
Rezulton se të 3 këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë kontaktuar në zonën e Xhamllikut, shtetasin Menduh Kurt–Deda, i cili fshihej prej kohësh, si pasojë e një borxhi të pashlyer, e kanë marrë me forcë atë, në automjet, dhe kanë shkuar në zonën e Alliasit, ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij.
Më pas, dy shokët, Besmir Karaj dhe Gazmir Ngota e çuan atë në zonën e Dajtit, në vendin e quajtur “Kodër Shupal” dhe pasi e kanë dhunuar dhe lidhur 61-vjeçarin, e kanë djegur.
Në atë kohë trupi i pajetë u gjet nga barinjtë në zonë. Idenfifikimi u bë nga ADN-ja në këmbën e majtë të kufomës, e cila ishte më pak e dekompozuar.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije për ABC News, se gjatë marrjes në pyetje, Marjeta Karaj ka mohuar të jetë autore në krim. Ndërsa 39 vjeçari Gazmir Ngota është treguar bashkëpunues me uniformat blu. Ai ka pranuar përfshirjen në krim, duke treguar kronologjinë e vrasjes. Por, për shkak të gjendjes së rënduar mendore, ka shtuar se shpjegimet më të hollësishme do i japë në një moment të dytë.
Dy të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim akuzohen për veprën penale të vrasjes me dashje, të kryer në bashkëpunim./Abcnews.al/