Partia Bindja Demokratike nuk fitoi asnjë bashki, edhe pse garoi në 22 të tilla. Por partia e krijuar pak javë përpara zgjedhjeve, arriti të grumbullojë rreth 28 mijë vota me kandidatët e saj.
Të dielën e 30 Qershorit, partia që pati më shumë kandidatë përballë koalicionit të mazhorancës, ishte Bindja Demokratike e Astrit Patozit. Bindja garoi në 22 bashki, por nuk mundi të dilte fituese në asnjë zonë zgjedhore.
Megjithëkëtë, kandidatët e saj në mbarë vendin morën gjithësej 27 947 vota, sipas të dhënave të transmetuara nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve.
Kandidati më i votuar i Bindjes Demokratike rezulton Shkëëlzen Qoka në Dibër. Ai ka grumbulluar 2,566 vota, që përbëjnë 16.5% të totalit. I dyti, më i mbështetur është kandidati i Kukësit Abedin Oruci, i cili ka marrë 16% të votave, plot 1,905 të tilla. Kandidati i tretë më i mbështetur është ai i Kurbinit, Edmond Piroli, me 966 vota, ose 12.73% e totalit.
Lista vijon me Këlcyrën, ku kandidati Shkelqim Muhaj ka marrë 11.02% të votave.
Në Durrës Valbona Sakollari ka siguruar 9.33% të votave ndërsa në Korçë Leonard Olli ka arritur të grumbullojë 7.78% të kartonëve.
Në kutitë e votimit të Shijakut u gjetën 449 vota për Arben Pohumin, që përbëjnë 7.69%. Në Mallakastër, kandidatin e Bindjes Demokratike e kanë mbështetur 7.64% e pjesëmarrjes në zgjedhje. Në Bulqizë Ilir Balla ka marrë 6.73% vota, ndërsa Sabri Ibrahimi që kandidoi në Gramsh ka marrë 6.67% të votave.
Kolonjë kandidati Fatjon Feka mori vetëm 304, në Selenicë Marildo Hodaj 401 të tilla, ndërsa në Malësi të Madhe Pjerin Spathari mori 493 vota.
Dy themeluesit e Bindjes Demokratike, Arben Skënderi dhe Valbona Mezini kanë marrë rezultat të njëjtë në përqindje: 5.79, por në Tiranë Skënderaj ka fituar 9,364 vota përballë Erion Veliajt, ndërsa në Vlorë Valbona Mezini ka marrë 1,827 përballë Dritan Lelit.
Lista vijon me kandidatët e cërrikut, Beratit, Tropojës e Tepelenës. Ndërsa kandidati me rezultatin më të dobët i Bindjes Demokratike është në Kavajë. Bledar Sinella mori vetëm 122 vota, ose 1.62% të totalit.
Bindja Demokratike ka kandiduar edhe për disa këshilla bashkiakë, por llogaritjet për to vijojnë, dhe ende nuk dihet nëse ka fituar apo jo mandate këshilltarësh./ABC News Albania 24/7