SHBA-ja nis betejën e tarifave dhe me BE-në

schedule13:18 - 2 Korrik, 2019

schedule 13:18 - 2 Korrik, 2019

Në muajin Gusht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin për hyrjen në fuqi të tarifave ndaj produkteve të Bashkimit Europian, me një vlerë prej 4 miliardë dollarësh. Zyra e përfaqësuesit amerikan për tregtinë ka publikuar listën e produkteve që do të preken nga tarifat e reja.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërcënojnë me tarifa tregtare ndaj produkteve të Bashkimit Europian për 4 miliardë dollarë. Në objektiv janë lloje të ndryshme djathi, makarona, proshuta, ullinj dhe uiski irlandez.

Kjo është një kundërpërgjigje për ndihmat europiane ndaj avionëve tregtarë. Në një deklaratë për media lexohet se zyra e përfaqësuesit amerikan për tregtinë ka publikuar një listë produktesh që mund të jenë subjekte të tarifave shtesë.

Prej pothuajse 15 vitesh Uashingtoni dhe Brukseli akuzojnë njëri tjetrin se mbështesin me fonde publike kolosët rivalë të aviacionit, amerikanin “Boeing” dhe atë europian “Airbus”.

Në Maj të vitit 2018, ekzekutivi i Organizatës Botërore të Tregtisë dënoi Brukselin sepse nuk kishte anuluar fondin prej miliarda dollarësh për ndërtimin e dy avionëve të “Airbus”.

Uahsington vlerëson të paktën deri në 11 miliardë dollarë në vit dëmet për ekonominë amerikane si pasojë e ndihmës që qeveritë e Bashkimit Europian i japin “Airbus”.

Tarifat e reja, të cilat llogariten deri në 4 miliardë dollarë do të diskutohen në 5 Gusht. Por dhe Bashkimi Europian ka një çështje të hapur kundër “Boeing”. Në 28 Mars të këtij viti apeli i Organizatës Botërore të Tregtisë vendosi se dhe “Boeing” ka marrë ndihma shtetërore të paligjshme.

Duke u mbështetur të ky vendim Bashkimi Europian ka të drejtë të vendosë tarifa për importet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!