Davide Pecorelli, 47-vjeçari nga San Giustino i cili inskenoi vdekjen e tij në Shqipëri është arrestuar nga policia italiane.
Ai ishte në kërkim ndërkombëtar për krime të kryera në Shqipëri. Nga hetimet e Policisë së Shtetit të Perugias kishte rezultuar se në janar 2021, Davide Pecorelli, për t’i shpëtuar borxheve financiare të kontraktuara në Itali, i kishte vënë flakën një veture të marrë me qira në fshatin Rras të Shqipërisë.
Brenda makinës së djegur u gjetën mbetje të eshtrave të njeriut për të simuluar vdekjen e tij.
LEXO GJITHÇKA MBI ÇËSHTJEN E DAVIDE PECORELLIT
Arrestimi, sqaron policia italiane është bërë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Prokuroria publike shqiptare në tetorin e kaluar mbylli hetimet për të dyshuarin për mashtrim, përdhosje varresh dhe shkatërrim prone me zjarr, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Autoriteti gjyqësor shqiptar është i bindur se Pecorelli u ndihmua për organizimin e inskenimit të vdekjes së tij.
Dokumentet i janë dërguar prokurorit të përgjithshëm të Perugia Sergio Sottani ndërsa seanca e vlefshmërisë do të mbahet të hënën.
Njoftimi i policisë së shtetit
Policia e Shtetit – Vijon shkëmbimi i informacionit me partnerët, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
Finalizohet nga Policia italiane, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, operacioni policor i koduar “Perugia”.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas italian, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me masë sigurie nga Gjykata e Pukës, për një sërë veprash penale.
Në vijim të bashkëpunimit policor me partnerët italianë, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, mbrëmjen e sotme, në Perugia, Itali, Policia italiane, në bazë të kërkesave të autoriteteve policore dhe të drejtësisë shqiptare, falë shkëmbimit të informacionit mes policive të të dy vendeve, finalizoi operacionin policor të koduar “Perugia”, në kuadër të të cilit kapi dhe vuri në pranga shtetasin italian D. P., 47 vjeç.
47-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Ky shtetas, në janar të vitit 2021, inskenoi ngjarjen e vrasjes së tij dhe djegies së trupit.
Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit shqiptar dhe Prokuroria e Pukës, në bashkëpunim me homologët italianë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe lokalizimi i shtetasit D. P., në një ishull.
Arrestimi i 47-vjeçarit, nga Policia italiane mbrëmjen e sotme në Perugia, u bë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
/Abcnews.al/