SHBA: Nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës

schedule10:50 - 7 Dhjetor, 2022

schedule 10:50 - 7 Dhjetor, 2022

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se, aktualisht, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës “duhet të jetë prioriteti më i lartë”.

“Kthimi kah dhuna dhe frikësimi, përfshirë përdorimi i një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimi i jetëve nuk janë kurrë metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, shkroi Hovenier në Twitter.

Komentet vijnë një ditë pasi grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente me armë zjarri dhe granata.

Hovenier tha se SHBA-ja i dënon këto akte dhe u bëri thirrje të gjithë të përfshirëve për përmbajtje.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – u shpallën pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi këto komuna – i kundërshton këto zgjedhje.

/abcnews.al/