Zbulohet shtëpi bari në Malësinë e Madhe, në pranga pronarja e magazinës, nisin hetimet për 4 punonjës të OSHEE-së

schedule09:40 - 7 Dhjetor, 2022

schedule 09:40 - 7 Dhjetor, 2022

Një shtëpi bari është zbuluar në Malësi të Madhe.

Policia e Shkodrës ka gjetur një magazinë të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Për pasojë ka rënë në pranga pronarja e magazinës File Vuksani, ndërsa kanë nisur hetimet për pesë persona, katër prej tyre punonjës të OSHEE Malësi e Madhe.

Punonjësit e OSHEE-së akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa personi tjetër i vënë nën hetim është një 54-vjeçare me iniciale M.V. Ajo është vënë nën procedim në gjendje të lirë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasi Ujk Vuksani 61 vjeç bashkëshorti i pronares së magazinës dhe vëllai i tij, shtetasi Gjovalin Vuksani., 56 vjeç (bashkëshorti i shtetases M. V.), të dy banues në fshatin Jeran, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Gjatë kontrollit në ambientet e magazinës, që furnizohej me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, shërbimet e Policisë kanë gjetur 90 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara në vazo, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i Policisë

Malësi e Madhe/Finalizohet faza e 10-të e operacionit policor të koduar “Qarku”.

Goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Kishin përshtatur ambientet e një magazine, për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, vihet në pranga 1 shtetase (pronarja e magazinës), procedohet në gjendje të lirë 1 shtetase tjetër (për shkak të gjendjes shëndetësore).

Shpallen në kërkim bashkëshortët e tyre (vëllezër), të 2 bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

Procedohen edhe 4 punonjës të OSHEE Malësi e Madhe, për shpërdorim detyre.

Sekuestrohen 90 bimë narkotike kanabis të kultivuara në vazo dhe pajisje të ndryshme elektrike.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Shkodër, mbështetur dhe në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar fazën e 10-të të operacionit policor të koduar “Qarku”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetases F. V., 54 vjeçe, banuese në fshatin Jeran, Malësi e Madhe, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të gjendjes shëndetësore, për shtetasen M. V., 43 vjeçe, banuese në fshatin Jeran.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasi U. V., 61 vjeç (bashkëshorti i shtetases F. V.) dhe vëllai i tij, shtetasi Gj. V., 56 vjeç (bashkëshorti i shtetases M. V.), të dy banues në fshatin Jeran, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Këta 4 shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar më njëri-tjetrin, për të kultivuar bimë narkotike cannabis sativa, në një magazinë në pronësi të shtetases së arrestuar F. V., në fshatin Jeran, Malësi e Madhe.

Gjatë kontrollit në ambientet e magazinës, që furnizohej me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, shërbimet e Policisë kanë gjetur 90 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara në vazo, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 24 llamba elektrike dhe pajisje të tjera elektrike, të cilat shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, në këtë ambient.

Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:

A. S., 23 vjeç, E. B., 37 vjeç, të dy banues në fshatin Gruemirë, I. D., 50 vjeç, banues në Koplik dhe F. D., 54 vjeç, banues në fshatin Bajzë, punonjës të OSHEE Malësi e Madhe.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!