Kutive të votimit në mbarë Shqipërinë pritet t’u drejtohen 3.4 milionë qytetarë me të drejtë vote. Zgjedhje zhvillohen në 61 bashki për Këshillin dhe Kryetarët, por garë ka vetëm në 30 bashki, pasi në 31 të tjera Partia Socialiste është e vetmja që ka kandidat. Mes 97 kandidatëve për kryebashkiakë, vetëm 10 janë zonja. 23 prej socialistëve janë rikandidime.
Në mbarë vendin, mëngjesin e kësaj të diele duhet të hapen 5 417 qendra votimi.
Të drejtën për të shkuar tek kutia e votimit, e kanë 3.464.328 qytetarë shqiptarë.
Ata do të vendosin shenjën e tyre në dy fletë votimi: për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive, si dhe parlamentet lokale, pra këshillat bashkiakë.
Në zgjedhje marrin pjesë gjithësej 36 parti. Ato janë të ndara në dy koalicione: Aleanca për Shqipërinë Evropiane drejtuar nga PS dhe që përmban dhe 19 parti të tjera, Koalicioni Shpresa për Ndryshim me 6 parti, e udhëhequr nga Aleanca Kuq e Zi, ndërsa 9 parti garojnë jashtë koalicioneve.
Për shkak të vendimit për bojkot, në fletën e votimi për herë të parë do të mungojë Partia Demokratike, e bashkë me të edhe aleatët opozitarë, si Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikanve, PDIU, PBDNJ, LZHK, etj.
Partia opozitare që garon për herë të parë është Bindja Demokratike e Astrit Patozit që garon me kandidatë në 22 bashki të vendit.
Në më shumë se gjysmën e bashkive, nuk ka garë për kryebashkiakë, pasi në fletën e votimit ka vetëm një emër. Të tilla janë 31 bashki, nga 61, ku përfshihen bashki të mëdha si: Shkodra, Elbasani, Fieri, Gjirokastra, apo Vora dhe Himara.
Në 30 bashki të tjera ka më shumë se një kandidat, ndërsa numrin maksimal të kandidatëve e ka bashkia e Devollit, me plot 4 rivalë.
Kandidatë për kryebashkiakë në mbarë vendin janë 97. Kjo betejë ju është besuar vetëm 10 zonja, 7 prej të cilave i kandidon Partia Socialiste.
Besimin e Edi Ramës për tu rikandiduar e kanë fituar 23 kryebashkiakë aktualë. Mes tyre vecohet kryebashkiaku i Policanit, Adriatik Zotkaj që kërkon një mandat të 5-të, dhe Gëzim Topçiu që kërkon një mandat të 6-të në Maliq.
5 deputetë dorëzuan mandatin parlamentar për të kandiduar për bashkitë: Pjerin Ndreu në Lezhë, Ilir Xhakolli në Pogradec, Flamur Golemi në Gjirokastër, Nuri Belba në Përrenjas dhe Rakip Suli në Kamëz.
Këto zgjedhje do të monitorohen nga rreth 1500 vëzhgues, ku pjesën kryesore, rreth 250 të tillë, e zë ekipi i OSBE ODIHR, ndërsa përfshihen vëzhgues nga ambasadat më të rëndësishme, si ajo amerikane, gjermane, franceze, italane, britanike, etj.
Veç medias vendase, akreditim kanë marrë dhe dhjetra ekipe televizive ndërkombëtare. /ABC News Albania 24/7