Pronari i ri i Twitter-it, Elon Musk, ka thënë se llogaria e Donald Trump është rikthyer pas një sondazhi në të cilin përdoruesit janë përgjigjur pozitivisht.
“Njerëzit kanë folur”, shkroi Musk në Twitter, duke thënë se 51.8% e më shumë se 15 milionë përdoruesve të Twitter votuan për heqjen e ndalimit.
Por ish-presidenti amerikan mund të mos kthehet në platformë, duke thënë më herët: “Unë nuk shoh ndonjë arsye për tu kthyer”.
Llogaria e tij u pezullua në vitin 2021 për shkak të rrezikut të nxitjes së dhunës.
Menaxhmenti i mëparshëm i Twitter veproi vetëm disa ditë pasi mbështetësit e Donald Trump sulmuan Kapitolin e SHBA në Uashington DC më 6 janar.
Qindra protestues hynë në kompleks ndërsa Kongresi Amerikan u përpoq të vërtetonte fitoren e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale. Dhuna që pasoi çoi në vdekjen e katër civilëve dhe një oficeri policie.
Menjëherë pas trazirave, llogaritë e Donald Trump në Facebook, Instagram dhe YouTube, të cilat kishin të gjitha dhjetëra miliona ndjekës, u pezulluan gjithashtu.
Disa muaj më vonë, ai lançoi platformën e tij të mediave sociale, Truth Social.
Lexo edhe: Elon Musk s’e ka ndarë ende mendjen nëse do ta rikthejë Donald Trump-in në Twitter
Në fillim të kësaj jave, republikani njoftoi se do të kandidojë sërish për presidencën e SHBA-së në vitin 2024.
Musk, njeriu më i pasur në botë, mori kontrollin e Twitter në tetor pas një marrëveshjeje prej 44 miliardë dollarësh (37 miliardë paund).
Ai filloi menjëherë një seri ndryshimesh rrënjësore brenda gjigantit të mediave sociale, mes shqetësimeve se ai mund të lirojë rregulloret e Twitter për gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.
Pak më shumë se një javë para zgjedhjeve afatmesme në SHBA më 8 nëntor, ai iu përgjigj pyetjeve nëse do të rikthente llogarinë e zotit Trump duke postuar në Twitter: “Nëse do të kisha një dollar për çdo herë që dikush më pyeste nëse Trump do të kthehet në këtë platformë, Twitter do të nxirrte para!”
Në fillim të kësaj jave, ai u tha punonjësve se ndërtesat e zyrave të kompanisë do të mbylleshin përkohësisht, me efekt të menjëhershëm.
Njoftimi vjen mes raporteve se një numër i madh i stafit po largoheshin pasi Musk u bëri thirrje atyre që të punonin me “orë të gjata” ose të largoheshin./Abcnews.al/