Nga Erisa Zykaj
Presidenca çeke e Bashkimit Europian ka vijuar me të ashtuquajturën “proçedurë e heshtur” mbi procesin e vendimarrjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në gjirin e Këshillit të Bashkimit Europian.
Kjo procedurë ka pasuar dy takimet e grupit të punës për vizat në këtë institucion të Bashkimit Europian.
ABC ka mësuar nga burimet diplomatike të Bashkimit Europian, se sot nuk është përcaktuar datë lidhur me zbatimin e vendimit që pritet të merret për liberalizimin e vizave.
Sipas këtyre burimeve, ideja qendrore ishte të shqyrtohej dhe peshohej mbështetja e 27 shteteve anëtare mbi përcaktimin e mundshëm të një date për zbatimin e vendimit për liberalizimin e Kosovës, midis 1 nëntorit dhe 1 dhjetorit 2023.
Qëllimi kryesor është që kjo datë të përfshihet në vendimin përfundimtar si datë limit pavarësisht nga data kur sistemi ETIAS bëhet operacional gjatë 2023.
“Nuk kemi të reja lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Duhet sërish të negociojmë dhe të qartësojmë disa çështje dhe nuk kemi ende datë për zbatimin e vendimit që pritet të merret” janë shprehur këto burime për ABC.
ABC ka mësuar nga burimet diplomatike të Bashkimit Europian, se presidenca çeke nuk përjashton marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në dhjetor dhe është shumë e angazhuar për t’a arritur këtij qëllim.
Vlen të përmendet, se asnjë presidencë më parë nuk ka komunikuar për takimet e një grupi pune në gjirin e Kêshillit tê ministrave të BE-së për liberalizimin e vizave me një vend të caktuar, siç është bërë pêr rastin e Kosovës./Abcnews.al/