Policia në Dibër ka zbardhur një plagosje me armë zjarri pas marrjes së njoftimit se një adoleshent kishte shkuar në spital me plagë plumbi. Bëhet e ditur se nga hetimet rezultoi se Korab Visha, 21 vjeç, dyshohet se ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri një 15-vjeçar mbi fshatin Ceren, në njësinë administrative Kala e Dodës.
15-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes, 21-vjecari ka fshehur në një shkëmb mbi fshatin Ceren, dy armë zjarri, kallashnikov dhe pushkë me njërën nga të cilat dyshohet se ka plagosur 15-vjeçarin, si dhe një sasi municioni luftarak.
Në përfundim të veprimeve, autori i plagosjes është vënë në pranga për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin Alfred Lita, 21 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka qenë i pranishëm gjatë ngjarjes, por nuk ka kallëzuar krimin. /abcnews.al/