Protesta e emigrantëve, Shapo: Emigracioni i shtuar pasojë e “POST-BREXIT”

schedule12:40 - 15 Nëntor, 2022

schedule 12:40 - 15 Nëntor, 2022

Sipas mjekut shqiptar të shëndetit publik në Britani Laidon Shapo, komuniteti shqiptar në këtë vend është i indinjuar nga gjuha e përdorur nga sekretarja për çështjet e brendshme Suela Braverman, e cila e ka cilësuar dyndjen e shqiptarëve drejt Britanisë si një ‘invazion’ si dhe emigrantët shqiptarë si ‘kriminelë’.

Në një lidhje direkte me studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, Shapo u shpreh që komuniteti shqiptar në Britani është duke u organizuar për të hedhur poshtë këto dy terma. Sipas tij, protesta apo tubimi në Londër ka qenë një nivel të pëlqyeshëm dhe është pasqyruar dhe në shtypin e përditshëm britanik.

‘Njoh shqiptarë të shumtë, që vijnë nga domene të ndryshme të jetës, që paguajnë taksa dhe që janë integruar shumë mirë në shoqërinë britanike. Në periudhën post-brexit ka nevojë për punëtorë për krah pune në një moshë të re’, tha Shapo.

Gjithashtu, komuniteti i mjekëve shqiptarë në Britani, i cili përbëhet nga mjekë dhe specialistë të fushës së mjekësisë, po përgatit një letër për të shprehur indinjatën e tyre ndaj organeve kompetente.

‘E gjithë ideja e protestës ose tubimit, është që të bëhet një ballafaqim i të gjithë komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe përballë stereotipizimit të disa komuniteteve të caktuara’, u shpreh Shapo.

Për ekspertin e shëndetit publik Laidon Shapo shqetësues ka qenë vetëm viti 2022. Ai bëri një krahasim të ardhjes së emigrantëve në vitet 2020 dhe 2021 dhe theksoi që shtimi i emigrantëve kishte ardhur dhe si pasojë e BREXIT.
Franca dhe Britania janë pranë nënshkrimit të marrëveshjes, e cila parashikon shtimin e forcave të rendit në bregdetit francez, madje dhe përdorimin e dronëve. Për Laidon Shapon kjo është një zgjidhje e përkohshme.

‘Njerëzit duhet të mendohen shumë herë para se të marrin këtë rrugë, një pjesë e njerëzve, mendojnë se aty dikush do ti presë, dhe vërtet i pret dikush, lëvizin lirshëm, dhe qendrat e azilit i pranojnë. Masat e shtuara të sigurisë, padyshim nuk i kanë penguar që të emigrojnë dhe të gjejnë një vend pune në Britani’, shtoi Shapo.