Për shkak të një operacioni në zemër u detyrua të shtynte turin e tij. Shumë menduan se këngëtari legjendar i dha fund me kaq karrierës, por gabuan. Lideri i Rolling Stons, Mik Jeger është rikthyer në skenë më fuqishëm se kurë, duke elektrizuar fansat në stadiumin e Çikagos, ku të gjitha biletat ishin të shitura.
Asgjë nuk mund ta mbajë larg skenës legjendarin Mik Jeger. Pak kohë pas operacionit në zemër, ai dhe banda e tij Rolling Stones performuan në Çikago duke lënë të gjithë me gojë hapur. Grupi britanik i rokut argëtoi rreth 60 mijë fansa në stadiumin “Solxhër Filld”, ku të gjitha biletat ishin të shitura. Dhe nëse mbyllje sytë dhe nuk i kushtoje vëmendje pamjes së jashtme, zëri i tij nuk ndryshonte nga ai i dekadave më parë.
Mik performoi në çdo cep të skenës dhe tregoi se ishte në super-formë, vetëm 2 muaj pasi zëvendësoi një valvul në zemër. Grupi u detyrua të shtynte me 14 ditë turin e tij të quajtur “Pa Filtër”, por për fansat, pritja ia vlejti. Të gjithë mbetën të shtangur kur panë vokalistin dhe lëvizjet e tij. Koncerti ishte një tregues se operacioni në zemër tashmë i përket së shkuarës.
Grupi interpretoi 20 këngë në total përfshirë ato më të njohurat si “Sympathy for the Devil”, “Honky Tonk Women”, “Paint it Black”, “Jumpin’ Jack Flash”, “Start Me Up” dhe natyrisht të pazëvendësueshmet “Gimme Shelter” dhe “Satisfaction”. Në tërësi, koncerti zgjati 3 orë dhe gjatë tij këngëtari i famshëm nuk tregoi asnjë shenjë lodhjeje. Ky ishte koncerti i parë i Rolling Stones që prej korrikut 2018. E ndërsa kolegët e tyre të Beatles zgjatën një dekadë së bashku, Stones janë së bashku prej gjysmë shekulli./ABC News Albania 24/7