Kupa e Botës në Katar tashmë është shumë afër dhe nuk është sekret se mund të jetë e fundit për Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon.
Superyjet shpresojnë të fitojnë turneun, duke i dhënë fund karrierës së tyre ndërkombëtare si qershia mbi tortë, pasi të dy kanë marrë trofe me ekipet kombëtare më parë, por jo Kupën e Botës.
Ish-lojtari brazilian, Kaka, është i bindur se Messi dhe Cristiano do të bëjnë gjithçka për të treguar se janë ende lojtarë të nivelit të lartë.
“Jam shumë i interesuar të shoh se çfarë rezultatesh arrijnë në Katar. Mendoj se ata do të përpiqen t’u tregojnë të gjithëve se janë ende lider në ekipet e tyre kombëtare”, tha Kaka për Mundo Deportivo.
Për Messin, sezoni aktual te PSG po shkon mirë. 35-vjeçari tashmë ka shënuar 12 gola dhe ka bërë 14 asistime. Por gjithçka nuk është aq rozë për Ronaldon. Veterani deri më tani ka vetëm 3 gola në 16 ndeshje për Manchester United. /G.D abcnews.al/