Opozita e Bashkuar ka zhvilluar protestën e 9 kombëtare para Kryeministrisë. Protesta ka qenë mjaft paqësore dhe e dyta ku nuk është shënuar asnjë incident, që nga nisja e valës së protestave opozitare.
Protesta ka nisur rreth orës 20.00 para godinës së qeverisë. Ajo është karakterizuar nga pjesëmarrja e një numri të madh grash dhe fëmijësh.
Një element tjetër i kësaj proteste ishte edhe simbolika që kishin zgjedhur protestuesit.
Një krevat me personazhet që përmenden në audiopërgjimet e Bild ishte njëra nga simbolikat, dhe po ashtu, edhe rrëzimi i një busti të improvizuar i kryeministrit Edi Rama.
Ndërsa para kryeministrisë protestohej, në sfond dëgjohej audio e përgjimeve të publikuara në Bild, lidhur me shitblerjen e votave.
Pas rreth 2 oresh, protestuesit i janë drejtuar godinës së parlamentit shqiptar, duke marshuar në mënyrë paqësore. Gjatë gjithë marshimit mbizotëronin thirrjet “Rama Ik” si dhe boritë e vuvuzelave.
Më pas, protestuesit, të udhëhequr nga kryetari i Partisë Demokratike, i janë drejtuar selisë blu, ku është mbaujtur edhe fjalimi përmbyllës si dhe është kënduar himri kombëtar.
Më herët në fjalën e tij gjatë protestës para kryeministrisë, Basha tha se nuk ka zgjidhje politike pa u futur në qeli ata që vodhën votat.
Ai gjithashtu deklaroi se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, por do të vuloset vdekja politike e kryeministrit shqiptar. /ABC News Albania 24/7