Zgjedhjet afatmesme në SHBA kanë shuar pritshmëritë e republikanëve për një “dallgë të kuqe” që do të konsistonte me fitoren e tyre të thellë si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve.
Por ndryshe nga pritshmërtitë, nuk shihet një fitore republikanëve, por edhe nëse ndodh, do të jetë shumë e ngushtë.
Ernest Nasto, studiues i politikave amerikane tha në “Radar Informativ” se pëfundimi i këtyre zgjedhjeve është se “dallga” e parashikuar nuk u vërtetua.
“Unë them që ajo dallga e parashikuar e kuqe nuk u vërtetua dhe ky është përfundimi kryesor që duhet të nxjerrim nga këto zgjedhje. Pritej që republikanët do të fitonin shumë thellë, por kjo nuk po vërtetohet. Do të jetë një valëz e vogël edhe nëse fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve. Republikanët kanë më shumë shanse që ta marrin dhomën me gjithë ato që kanë ngelur. Ata do ta marrin kontrollin e Dhomës por me një rezultat më të ngushtë se ç’pritej”, tha ai.
Nasto shpjegoi se një rezultat i ngushtë do të thotë shumë për agjendën e ligjit, pasi shumë përfaqësues nuk votojnë në koordinim me partinë e tyre, por ndërrojnë kah.
“Ky rezultat i ngushtë është shumë i rëndësishëm për dy arsye. Edhe një shumicë e ngushtë p.s.h me 3 vende, ata e kanë kontrollin dhe quhen mazhorancë dhe përcaktojnë axhendën e ligjit që do të bëjë dhoma, mirëpo meqësëse ka një tendencë që shumë anëtarë ndryshojnë kahun, nuk votojnë sipas partive, me shumicë të ngushtë është e vështirë të kalohen ligjet”, tha ai.
Sa i përket situatës në shtete, Arizona duket se do të ngelet demokrate, Nevada do të shkojë me republikanët, ndërsa Wisconsin po ashtu republikan. Ndryshe situata në Georgia, që pritet të shkojë në balotazh.
“Mendoj se Arizona do të ngelet demokrate. Mark Kelly ka më shumë avantazh. Unë mendoj që anon nga demokratët. Aty është edhe gara për guvernator që është shumë e rëndësishme. Përfaqësuesja e republikanëve është pjesë e MAGA (Make America Great Again) dhe mohon rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Nevada do të shkojë me republikanët. Nuk do të jetë më në lojë Nevada. Mendoj që Ron Johnson do ta ruajë avantazhin dhe Wisconsin do të mbetet republikan. Johnson ka qenë nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes MAGA, nuk mund të them që është republikan nga ata tradicionalët. Është e sigurt që Georgia do të shkojë në garën finale sepse kështu e ka ligji aty. Meqenëse asnjëri nuk do të arrijë rezultatin 50%, të dy do shkojnë në garën finale në dhjetor. Kandidati republikan ka qenë një futbollist që u fut në garë vetëm se ishte miku i Donald Trump dhe nuk ka asnjë lloj kualifikimi”, shpjegoi Nasto.
Studiuesi komentoi edhe rezultatin e dobët të kandidatëve të mbështetur nga Donald Trump dhe kjo duket se e ka dëmtuar ish-presidentin, i cili pritet të njoftojë kandidaturën e tij në zgjedhjet e ardhshme.
“Donald Trump ka atë cilësi që ai thith gjithë ajrin që është në dhomë. Çdo gjë rrotullohet rreth tij. Unë mendoj që kandidatët e mëbshtetur nga Trump nuk patën ndonjë performancë të mirë në këto zgjedhje dhe duket se kjo e ka dëmtuar. Kishte një numër të madh që u futën në garë për postin e sekretarit të shtetit që mbikëqyr zgjedhjet dhe asnjë nga përfaqësuesit e MAGA nuk e ka fituar postin në shtetet e lëkundura”, tha ai.
Ndërkohë, në Florida-n “e nxhetë” duket se republikanët kanë gjetur yllin e tyre në ngritje. Bëhet fjalë për Ron DeSantis, i cili sipas gjasave do të jetë ai që do të sfidojë Trump në garën brenda republikanëve dhe nëse fiton t’i përfaqësojë edhe në zgjedhjet presidenciale.
“Ishte një nga ato të panjohurat e mëdha të këtyre zgjedhjve. Në qoftë se kandidatët e lëvizjes MAGA nuk do të përfaqësoheshin aq mirë dhe Ron DeSantis do të fitonte me rezultat të thellë, ai do të ishte i pandalshëm në rrugën e tij drejt presidencës. Në qoftë se është i aftë ti rezistojë Trump do e ketë të sigurt fitoren në Partinë Republikane”, tha Nasto.
Sa i përket gjeopolitikës së SHBA-ve me këtë rezultat, Nasto tha se agjenda e Biden do të lëkundet, ndërsa nëse republikanët marrin edhe Senatin, ajo do të rrëzohet.
“Sa i përket axhendës së Biden, do thoja që në qoftë se republikanët arrijnë ta marrin për ndonjë arsye Senatin, axhenda e Biden që deri tani ka qenë në një asistencë jetike, ajo përfundimisht bie poshtë dhe nuk realizohet më. Në qoftë se marrin vetëm Dhomën, kjo lidhje e të sëmurit me ato tubat do të jetë më e dobët, por do të mbetet pak a shumë në fuqi”, përfundoi studiuesi. /abcnews.al