Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë Saida Dollanin, ish-gjyqtaren e dosjes “Shullazi” pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Trupa gjykuese e KPK-së e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Valbona Sanxhaktari dhe Lulzim Hamitaj ne vendimin për të konfirmuar në detyrë drejtuesen e gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Dollani, vlerësuan se deklarimet e saj kanë qenë në përputhje me rezultatet e hetimit dhe po ashtu ndaj saj nuk u gjetën probleme në asnjë prej kritereve të rivlerësimit.
Nga hetimi administrativ nuk ishin evidentuar probleme në dhurimin e një apartamenti me sipërfaqe 79 m2 në Tiranë, i falur Dollanit prej motrës së saj dhe bashkëshortit të kësaj të fundit, të cilët jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu pa probleme rezultuan edhe shpenzimet për studimet e dy djemve të gjyqtares në Francë. Disa denoncime, përfshi një denoncim nga Emiljano Shullazi, nuk u morën parasysh nga KPK pasi në to nuk kishte indicie për veprime të paligjshme.
Ndërkohë, nuk është konfirmuar në detyrë gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda, Gurali Brahimllari, për shkak të problemeve me pasurinë. Brahimllari ishte kandidat për Gjykatën Speciale antikorrupsion, SPAK./ABC News Albania 24/7