I gjendur nën efektet e luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara, presidenti kinez Xi Jinping ka udhëtuar në Korenë e Veriut, ku i ka sugjeruar liderit Kim Jong Un t’i kthehet dialogut me presidentin Trump.
Bota shpreson që Korea e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të mund të flasin me njëra-tjetrën dhe që bisedimet të jenë të suksesshme. Ka qenë ky mesazhi që presidenti kinez Xi Jinping i përcolli të enjten liderit koreano-verior Kim Jong Un, gjatë një vizite në Penian.
Vizita e Xi në fqinjin lindor të Kinës ndodh një javë përpara se ai të takohet me presidentin Donald Trump në kuadër të bisedimeve mbi luftën tregtare. Xi do të qëndrojë në Penian për dy ditë, duke u bërë lideri i parë kinez që viziton vendin në 14 vjet dhe që mund të ofrojë pakëz shpresë për zbutjen e efekteve të sanksioneve që kanë rrënuar ekonominë. Kim Jong Un dhe bashkëshortja e tij e pritën presidentin kinez në aeroport.
Më pas Xi udhëtoi në rrugët e Penianit me një makinë të hapur së bashku me Kim dhe u përshëndet ngrohtë nga qytetarët teksa shkonte në mauzoleumin kushtuar themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung.
Sipas mediave aziatike, kreu i shtetit kinez deklaroi se kishte ardhur për të konsoliduar miqësinë tradicionale dhe për të promovuar një proces politik për të zgjidhur çështjen e gadishullit Korean. Ai gjithashtu vlerësoi pozitivisht përpjekjet e Koresë së Veriut për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe për çarmatimin bërthamor.
“Situata në gadishullin korean ka të bëjë me paqen dhe stabilitetin rajonal, ndaj komuniteti ndërkombëtar shpreson që Korea e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të zhvillojnë bisedime të suksesshme”, vijoi Xi. Që nga samiti i fundit mes Donald Trump dhe Kim Jong Un, i mbajtur muaj më parë në Vietnam, Peniani ka deklaruar se nuk kthehet në tryezën e bisedimeve nëse Shtetet e Bashkuara nuk tregohen më fleksibël. /ABC News Albania 24/7