Skuadra e Rangers nuk e ka grumbulluar Grezdën për fazën përgatitore që do të zhvillohet në Portugali. Futbollisti pranë largimit.
Skuadra skoceze e Rangers do të niset për pak ditë drejt Portugalisë për të filluar fazën përgatitore në prag të sezonit të ardhshëm. Lajmi i bujshëm nga skuadra e drejtuar nga trajneri Gerrard është lënia jashtë fazës përgatitore e sulmuesit shqiptar Eros Grezda. Trajneri i skocezëve dhe sulmuesi anësor nuk kanë patur raporte të mira pasi aktivizimi i Grezdës ka qenë me pikatore. Lajmi është zbuluar nga menaxheri i tij Ives Sakarun i cili thekson:
“Grezda është ende me skuadrën e Rangers për momentin, por fakti që ishte me Kombëtaren dhe pati disa probleme nuk do të jetë me skuadrën në fazën përgatitore që do të zhvillohet në Portugali”.
Sulmuesi shqiptar u kushtoi arkave të klubit skocez plot 2 mln euro verën e kaluar ku u ble nga skuadra kroate e Osijek. Në vitin e tij të parë në Skoci, Grezda nuk përmbushi pritshmëritë duke realizuar shumë pak gola. Futbollisti me origjinë nga Gjakova pritet të nisë një aventurë të re qoftë edhe në huazim.
/ABC News Albania 24/7