Autostrada Tiranë-Durrës nuk do të bëhet me pagesë këtë vit. Sqarimet i bën Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku në interpelancën e thirrur në parlament. Ky projekt është ende në fazë studimi dhe nuk duhet të bëhet fakt i kryer ka nënvizuar ministrja Balluku.
Autostrada Tiranë-Durrës nuk do të përjashtohet nga rrugët me pagesë. Koha kur do të ndodhë është ende e paqartë sepse vazhdon të jetë një projekt në letër. Sqarimet i bën Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.
“Nuk bëhet fjalë për të vendosur një tra as në Shtator, as në Nëntor dhe as në Dhjetor. Ky është një projekt të cilin e kam gjetur në tryezën time të punës dhe po vlerësoj seriozisht me ekspertët. Sot as unë dhe as ju nuk mund të diskutojmë për këtë projekt”, tha Balluku.
Në interpelancën e thirrur nga deputeti Artur Roshi, Minstrja Balluku i kërkon të kuptojë se janë të nevojshme rrugët me pagesë.
“Duke vazhduar dhe duke paguar për çdo rrugë. I bie që pas pak kohësh një xhiro për në Shqipëri t’i shkojë kostoja 50 Euro, që do të thotë të privosh 85% të shqiptarëve që të lëvizin dhe do i shohim shumë qytete vetëm nëpërmjet kartolinave”, tha Roshi.
“Të gjitha rrugët që në të ardhmen do të kenë atë që ju e quani tra, ka kuptim të aplikohet sepse ka të bëjë me mirëmbajtjen ka të bëjë me rehabilitimin e asaj rruge. Qereia po punojnë që në të ardhmen Të gjitha ato projekte që do të kenë detyrimin e pagesës do të kenë edhe rrugët alternative”, tha Balluku.
Për ministren Belinda Balluku segmentet e reja janë të kushtueshme. Zgjidhjen qeveria e sheh te koncesionet të cilat janë investime që paguhen nga privati dhe që shlyhen në kohë më të gjatë nga shteti./ABC News Albania 24/7