Ariana Marra i ka bërë një surprizë shumë të bukur gjyshërve të saj, Venetik dhe Donika Marra, të cilët kishte 11 vite pa i takuar. Ajo ka shkuar në shtëpi pa i njoftuar, ndërsa ata në ato momente po merreshin me pastrimin. Gjyshërit janë emocionuar pafund dhe kanë shpërthyer në lot.
Të ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ata kanë treguar gjithçka rreth kësaj surprize dhe padyshim të përlotur kanë rrëfyer emocionet e përjetuara.
“Prindërit e mi janë divorcuar kur unë isha vetëm 1 vjeçe dhe për një periudhë kohe unë nuk kisha lidhje me babain. Por pas kaq vitesh, unë u ktheva dhe vendosa t’i takoj. T’i takosh nga afër gjyshërit është tjetër gjë”, tha Ariana.
“Është e paimagjinueshme, më kanë bërë surprizë, por si kjo jo. Fëmija i fëmijës është gjithçka. Nuk po e njihja mu errën sytë. Vetëm kur pash djalin nga mbrapa e kuptova”, u shpreh e përlotur gjyshe Donika.
Ndërsa gjysh Venetiku shtoi: “Kemi një komshie dhe menduam se surpriza ishte për të. Vetëm kur erdhi brenda se Donika e lë ndonjëherë derën hapur dhe unë i them pse e lë. Por kur u afrova dhe e kuptova që ishte mbesa. Kisha 11 vite pa e takuar dhe ngela. Jo se nuk e do fëmijën, po nipërit dhe mbesat janë mjalti i mjaltit”./abcnews.al