Arrestohet Ilir Paja në Tiranë për llogari të drejtësisë italiane.
Ndalimi i tij është bërë mbrëmjen e sotme, 3 nëntor, në zonën e Laprakës në kryeqytet me qëllim ekstradimin në Itali ku është i dënuar me 25 vite burg.
Ai njihet me nofkën “UFO” nga drejtësia italianë, pasi është arratisur 2 herë nga burgu në mënyrë spektakolare.
Në 2017 është liruar me kusht nga gjykata e Krujës pasi vuante një dënim për plagosje të punonjësit të policisë në vitin 2008, Bledi Haxhimali, gjatë një operacioni në Tiranë për arrestimin e tij.
Njoftimi i policisë
Fast Albania – Finalizohet operacioni policor i koduar “Dangerous” për kapjen e një personi shumë të kërkuar për krime kundër personit.
Operacioni nga Fast Albania, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.
Kapet e vihet në pranga 49-vjeçari nga Tirana, i shumëkërkuar në Itali për vrasje të punonjësve të Policisë.
Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Njësia Speciale “Fast Albania”, bazuar dhe në inteligjencën informative, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dangerous”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë i shtetasit Ilir Paja, 49 vjec, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person shumë i kërkuar nga autoritetet Italiane pasi Gjykata e Apelit Milano/Itali, e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.
Lokalizimi dhe kapja e 49-vjeçarit u bë në Laprakë nga Njësia Speciale “Fast Albania”, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë.
Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët italianë vijon punën për plotësimin e dokumentacionit me qëllim ekstradmin e 49-vjeçarit drejt Italisë.
Kush është Ilir Paja?
Gati një dekadë më parë, Ilir Paja ai mori nofkën “Ufo” nga policia italiane. Shkak u bënë dy arratisjet spektakolare të tij nga burgje të sigurisë së lartë në vendin fqinj. Në vitin 2017, Paja u largua nga burgu i “Fushë Krujës”, por jo sipas stilit që e bëri të famshëm. Pas gati 10 vitesh burgimi ai u lirua nga qelia në zbatim të një vendimi gjykate. Ishte Gjykata e Krujës ajo që pranoi kërkesën e tij për liri me kusht.
Ai po vuante dënimet me burg, dhënë nga dy vendimet të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Në vitin 2010 “ufoja” i italianeve u dënua me 15 vjet burg për ngjarjen e marsit 2008, kur përplasi me mjetin e tij “Fiat” një punonjës policie gjatë operacionit për arrestimin e tij. Shkalla e Parë e fajësoi për tentativë vrasjeje.
Apeli ndryshoi vendimin, duke e dënuar atë me 6 vjet e 8 muaj burg për akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”.
Në vitin 2011 Paja mori një dënim me 15 vjet e 4 muaj burg, duke u deklaruar fajtor për një sërë veprash penale të kryera prej tij në Itali.
Ai u gjykua në bazë të materialeve hetimore të përcjella me letërporosi nga autoritetet italiane. Sipas gjykatës, veprat penale për të cilat dyshohet të jenë kryer nga Paja janë regjistruar në datat 2, 3 dhe 4 shtator 2006 në Milano, Itali.
Në këtë gjykim ai u fajësua për “vrasje”, “rrëmbim ose mbajtjes peng të personit”, “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai ka përfituar disa herë ulje të dënimit, sipas ligjit, për sjellje të mirë në burg.
/Abcnews.al/