Prokuroria themelore në Kosovë ka njoftuar se ka caktuar një mjek psikiatër për ta ekzaminuar gjendjen e së moshuarës e cila dhunohej nga një infermiere e një shtëpie për të moshuar në Pejë, ku ndodhej e strehuar.
Referuar zyrtarëve, ky vendim është ndërmarrë për të përcaktuar nëse ajo është në gjendje të dëshmojë për ngjarjen.
Autoritetet vendase po vazhdojnë hetimet për të verifikuar nëse ka pasur edhe raste të tjera të dhunës në shtëpinë e pleqve, “Orenda” në Pejë.
Vetëm një ditë pas publikimit të videos së rëndë të këtij akti, aktorja Kaltrina Zeneli e cila ishte e para që shpërndau videon në rrjet ka marre kërcënime për jetën.
Lexo edhe: Pamje të rënda! E moshuara rrihet nga punonjësja në Shtëpinë e Pleqve në Pejë
Aurona Pelaj, infermierja që goditi me shuplakë në fytyrë dhe në kokë të moshuarën, tha para autoriteteve gjatë marrjes në pyetje se ajo kishte vepruar në këtë mënyrë për të mbrojtur veten.
Familjarët e të moshuarës e tërhoqën atë nga Shtëpia e Pleqve menjëherë pas publikimit e videos, duke paralajmëruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore.
Për këtë rast të rëndë pati reagime të ashpra drejtues të shtetit dhe politikës në Kosovë, nga qytetarë dhe opinioni publik. /Abcnews.al/