“Qytetarët e Ballkanit Perëndimor mund të kenë besim te ne. Europa është e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor”, kështu është shprehur kancelari gjerman në samitin e Procesit të Berlinit, i vili nisi sot rreth orës 09:00.
Liderët e Ballkanit Perëndimor nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia u mblodhën sot në Berlin për të nënshkruar 3 marrëveshje që parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave dhe njohjen dhe kualifikimet për profesionistët.
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Berlin, Gjermani, si pjesëmarrës në Samitin “Procesi i Berlinit 2022”.
Samiti drejtohet nga kancelari federal Olaf Scholz, me pjesëmarrjen e drejtuesve të qeverive dhe kryetarëve të shteteve nga Ballkani Perëndimor, përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse të BE-së, si dhe institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale.
Axhenda e Samitit do të ketë në fokus të veçantë sigurinë energjetike dhe tranzicionin e gjelbër si dhe angazhimin e rajonit për të përshpejtuar zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Ai gjithashtu do të trajtojë iniciativat për të rritur zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të shpallur në kuadër të Procesit të Berlinit në nëntor 2020.
Kryeministri Rama u prit nga Kancelari Federal i Gjermanisë Olaf Scholz, në nisje të punimeve të ditës. Më pas, Kryeministri Edi Rama iu adresua me një fjalë Sesionit të parë të Samitit me temë “Bashkëpunimi Rajonal (përfshirë Çështjet e Migracionit) dhe Tregu i Përbashkët Rajonal”.
Axhenda, E enjte, 3 nëntor
08.45 – Mbërritja e delegacioneve në Kancelarinë Federale
09.15 – Hapja e samitit “Procesi i Berlinit 2022”
Fjalë e hapjes nga z. Olaf Scholz, Kancelar Federal i Gjermanisë
Fjalë e znj. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian
09.30 – Sesioni i parë i punës “Bashkëpunimi Rajonal (përfshirë Çështjet e Migracionit) dhe Tregu i Përbashkët Rajonal”
Fjalë e Kryeministrit (3 minuta)
10.20 – Foto zyrtare
10.50 – Sesioni i dytë i punës “Sigurimi i furnizimit me energji dhe gjetja e burimeve të reja energjetike”
Fjalë e Kryeministrit (3 minuta)
11.45 – Ceremonia e nënshkrimit të tre marrëveshjeve rajonale për lëvizshmërinë
12.00 – Takim zyrtar me përfaqësues të Forumit Rinor dhe atij të Shoqërisë Civile
14.15 – Konferencë e përbashkët për shtyp nga Kancelari Scholz, Presidentja e Komisionit të BE-së Von der Leyen dhe z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, si mikpritësi i Samitit të ardhshëm të Berlinit
Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel. Ndër qëllimet kryesore të këtij procesi janë: përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.
Fusha të tjera të veprimit në kuadër të tij janë: zgjidhja e çështjeve të brendshme dhe dypalëshe, si dhe pajtimi mes shoqërive të rajonit. Ky proces përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën./abcnews.al/