Në një kohë me përplasjet politike e policore për zhvillimin e zgjedhjeve në 30 Qershor, në Shqipëri kanë mbërritur mbi 3.6 milionë fletë votimi të prodhuara në Slloveni. Ato u transportuan nën masa policore dhe po ruhen në bazën e KQZ-së në Lundër.
Teksa politika po përplaset për të votuar ose jo në 30 Qershor, mëngjesin e hershëm të së mërkurës, në doganën e Shkodrës mbërritën dy trajlera. Ata vinin nga Sllovenia dhe sillnin fletët e votimit që KQZ ka porositur për 30 Qershorin.
Me shoqërim policor, 3.606.815 fletët e votimit mbërritën në Tiranë. Fletët për kryebashkiakë dhe këshilltarë u prodhuan nga kompania Cetis në Slloveni me kosto 600 milionë lekë.
“Aktualisht fletët e votimit janë vendosur në një prej magazinave të KQZ-së në Lundër. Forcat policore ruajnë perimetrin e këtij ambienti.
Fletët e votimit janë ndarë në kuti sipas numrit të votuesve për çdo bashki. Javën e ardhshme, ato do të shpërndahen përmes kamionëve të ushtrisë dhe me mbrojtje policore, do të shpërndahen nëpër KZAZ. Shpërndarja e tyre do të bëhet me një plan të fshehtë, në mënyrë që të mos dëmtohen apo sulmohen rrugës”./ABC News Albania 24/7