Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin për Izet Haxhinë, i cili është dënuar me 21 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit.
Haxghia kishte kërkuar ndryshimin e trupës gjyqësore si dhe rishikimin e dënimit, por në fund Gjykata e Apelit ka vendosur që ai të vuajë dënimin prej 21 vite burg.
Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë:
Referuar interesimit të mediave, Gjykata e Apelit Tiranë, informon sa më poshtë:
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvillua gjykimin lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me Izet Haxhia, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes ne rrethana te tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79/c i K.Penal te kohës kur është kryer vrasja (vrasjes se funksionarëve publik sot-neni 79/a) për vrasjen e deputetit Azem Hajdari në vitin 1998, “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim të B.C, ish-truproje e deputetit Azem Hajdari me date 12.09.1998, parashikuar nga neni 78/1-25 te K.Penal; Vrasjes me paramendim, kryer ne bashkëpunim, mbetur në tentativë të Z.N., ish-truprojë e deputetit Azem Hajdari me date 12.09.1998, parashikuar nga neni 78/1-25 te K.Penal.
Mbi bazën e kërkesës së të dënuarit Izet Haxhia, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë , me vendimin Nr. 520 Akti, datë 21.06.2018 ka vendosur:
– Pranimin e kërkesës.
– Rivendosjen në afat të së drejtës së ankimit, të kërkuesit Izet Haxhia, për vendimin nr. 316 datë 29.04.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi me vendimin nr. 351 datë 09.07.2002 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Në vijim, Gjykata e Apelit Tiranë pasi shqyrtoi ankimin nga i pandehuri Izet Haxhia, me vendimin Nr. 387, datë 18.03.2019 vendosi:
– Prishjen e vendimit nr. 316, datë 29.04.2002, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndaj të pandehurit Izet Haxhia dhe kthimin e akteve për gjykim, një kolegji tjetër pranë asaj gjykate.
– Në përfundim të rigjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 314, datë 11.02.2022 ka vendosur:
– Deklarimin fajtor te te pandehurit Izet Haxhia per kryerjen e vepres penale të “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të nenit 78/2 e 25 të K.P denimin e tij me 21 (njëzet e nje) vjet burgim.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila kërkoi:
-Deklarimin fajtor të të pandehurit Izet Haxhia për kryerjen e veprës penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79/c I K.Penal të kohës kur është kryer vrasja vrasjes se funksionareve publik sot-neni 79/a) per vrasjen e deputetit Azem Hajdari ne vitin 1998 dhe dënimin e tij me 22 (njëzet e dy) vjet burgim.
– Deklarimin fajtor të të pandehurit Izet Haxhia për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, kryer ne bashkëpunim te B.C, ish truproje e deputetit Azem Hajdari me date 12.09.1998, parashikuar nga neni 78/1-25 te K.Penal, dhe dënimin e tij me 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet burgim.
-Deklarimin fajtor të të pandehurit Izet Haxhia për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, kryer ne bashkepunim, mbetur ne tentative te Z.N, ish truproje e deputetit Azem Hajdari me date 12.09.1998, parashikuar nga neni 78/1-25 te K.Penal dhe dënimin e tij me 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet burgim.
-Bazuar në nenin 55 të K.P, kërkojm përfundimisht që ndaj këtij të pandehuri, ta caktohet një dënim i vetëm prej 25 (njëzet e pesë) vjet burgim i nxjerrë nga dënimi më i rëndë i shtuar.
Gjithashtu, mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri Izet Haxhia, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe kthimin e cështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues për shkelje të rënda të rregullave proceduriale të gjykimit ose në alternativë deklarimin e pafajshëm.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Marsela Dervishi dhe anëtarë znj. Alma Ahmeti dhe znj. Ornela Naqellari, me vendimin nr. 1045, datë 31.10.2022 vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 314 datë 11.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.