Merr pjesë në primare, Hajdarmataj: Investimet me kohën e Berishës të pakrahasueshme, Rama e urren Tropojën

schedule22:46 - 28 Tetor, 2022

schedule 22:46 - 28 Tetor, 2022

Ish-deputetja e Partisë Demokratike Mimoza Hajdarmataj është e para në këtë parti që ka njoftuar disa ditë më parë vendimin për të garuar në primare. Siç bëri vetë të ditur në një postim në Facebook, Hajdarmataj do të garojë për të qenë kandidate për bashkinë Tropojë.

Në një lidhje direkte me “Log.” në ABC, ish-deputetja demokrate u shpreh se kandidimi për Tropojën do të jetë për të si një kthim në shtëpi. E pyetur nëse do të ketë të tjerë që do të shpallin kandidaturën për këtë bashki, Hajdarmataj pohoi, por nuk përmendi emra të mundshëm.

Për të, këto zgjedhje janë ndryshe për PD-në pasi siç u shpreh ajo, “emrat e kandidatëve nuk do të dalin më nga xhepat e kryetarëve.”

“Sepse emrat nuk do të dalin më nga xhepat e kryetarit, por kush e mendon se meriton të hyjë në këtë garë do të marrë votëbesimin e anëtarësisë, ndjekësve të PD-së.”

Analisti Mentor Nazarko i kujtoi ish-deputetes se Tropoja ka qenë e neglizhuar nga PD kur Sali Berisha ishte në pushtet, një koment ky që u hodh poshtë nga Hajdarmataj. Sipas saj, gjatë këtyre ditëve që PS ka qenë në pushtet, në Tropojë nuk ekziston asnjë lloj shërbimi dhe të rinjtë po detyrohen të lënë vendin.

“Janë të pakrahasueshme investimet në kohën e Berishës, me qeverisjen e Rilindjes në këto tre mandate. Nëse i referohesh periudhës së PS, në Tropojë nuk ekziston më asnjë lloj shërbimi ndaj qytetarit. Çdo gjë ose në Shkodër, ose në Lezhë. Arsimi, drejtoritë rajonale, deri te AKU. Po të ishte qeverisur mirë, tropojanët nuk do të kishin marrë rrugët e emigrimit.”

Sipas Mimoza Hajdarmatajt, kryeministri Edi Rama e urren Tropojën dhe nëse ka pasur investime në thuajse një dekadë kanë qenë për ta “rrënuar Tropojën.”

Ish-deputetja bëri të ditur më herët gjatë kësaj jave se arsyeja kryesore se përse ka vendosur të garojë me primaret, është vendimi i PD-së për ” për t’i besuar anëtarësisë dhe simpatizantëve të saj për të përcaktuar kryebashkiakët e ardhshëm dhe parlamentarët e tyre lokalë.” /abcnews.al/