Socialistët regjistruan sot në Kuvend firmat për shkarkimin e Ilir Metës, por kjo procedurë parashikon një rrugë të gjatë deri në largimin e Presidentit nga zyra. Kuvendi duhet të ngrejë një komision hetimor parlamentar për këtë çështje, por edhe nëse ka 94 vota, PS nuk mund ta heqë kreun e shtetit pa marrë një vendim Gjykata Kushtetuese.
Një javë pasi Ilir Meta firmosi anulimin e zgjedhjeve në 30 qershor, edhe socialistët hodhën hapin e tyre zyrtar për ta nxjerrë jashtë presidencës. 55 deputetë dhanë firmat e tyre për t’i dhënë vlerë ligjore vlerësimit të kryeministrit se Ilir Meta e kishte humbur të drejtën të qëndronte në atë zyrë. Firmat që prej të enjtes qëndronin në zyrën e Taulant Ballës u protokolluan në Kuvend.
Por shkarkimi i presidentit nuk është një proces që mbyllet brenda një ditë. Rregullorja parlamentare, që po zbatohet për herë të parë në këtë pikë, përcakton se pas depozitimit të firmave, Komisioni i Ligjeve duhet të vlerësojë nëse ka shkelje nga ana e Metës, e më pas, të ngrihet një komision hetimor për këtë çështje. Ky komision duhet ta dëgjojë presidentin nëse ai e dëshiron këtë, ndërsa votimi në parlament mund të bëhet vetëm pasi të ketë nxjerrë raportin komisioni hetimor.
Shkarkimi i presidentit kërkon 94 vota, të cilat së fundmi PS ka provuar se i siguron mes opozitës së re.
Por gjithsesi, ky votim nuk mjafton për shkarkimin e Metës. Duhet që Gjykata Kushtetuese, ta certifikojë atë. Kjo gjykatë nuk ekziston, dhe ajo pritet të vihet në punë me 3 anëtarë të caktuar nga Kuvendit e 3 nga vetë Ilir Meta.
Ky proces mund të kërkojë disa muaj, ndaj PS, i kërkon Ilir Metës ta përdorë postin “me qetësi dhe dashuri”.
Shkarkimi i Presidentit kërkon 5 vota në Gjykatën Kushtetuese, e kur Kuvendi do të emërojë vetëm 3 gjyqtarë, ngelet për tu parë nëse 3 të emëruarit nga Meta do ta “tradhtojnë” atë që në vendimin e parë./ABC News Albania 24/7