Këtë të hënë Kuvendi do të mblidhet në një seancë të ngjeshur plenare.
Sipas rendit të ditës, pas miratimit të procesverbalit të seancës së kaluar plenare, gjatë së cilës mazhoranca dhe opozita votuan rezolutën e Partisë Socialiste ku ishin paraqitur argumentet pse ishte antikushtetues dekreti i kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit do të ketë dy raportime vjetore dhe diskutime për një sërë projektligjesh.
Në seancën e së hënës është parashikuar dhe raportimi vjetor për 2018-n i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku si dhe raportimi vjetori i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të lnteresave për vitin 2018.
Po gjatë seancës së të hënës pritet që të diskutohen disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin për regjistrimin e biznesit, disa shtesa në ligjin për procedurat tatimore, disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për masat kundër financimit të terrorizmit si dhe në atë për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. /abcnews.al