​Abazi: Nuk ekziston asnjë propozim gjerman për Asociacionin

schedule11:49 - 21 Tetor, 2022

schedule 11:49 - 21 Tetor, 2022

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se nuk ekziston asnjë propozim gjerman për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Abazi në një konferencë theksoi se nuk ka asociacion që mund t’i kalojë ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

“Nuk ka propozim gjerman, nuk mund të ketë asnjë propozim me emra të tjerë. Në fakt ka vetëm një propozim, Asociacioni i komunave i cili duhet të formohet bazuar në ligjet ekzistuese të vendit. Nuk ka asociacion që mund t’i kalojë ligjet dhe Kushtetutën e vendit… Nuk mundet një shtet që ka bërë gjenocid në të kaluarën të vendosë kushte për qytetarët e Kosovës. Do të duket qesharake që një shtet që ka vrarë fëmijë e gra tenton të jetë garantues demokratik i të drejtave të serbëve në Kosovë, kjo është paradoksale”, u shpreh ai.

Abazi ka folur edhe për reformën zgjedhore.

“Po iu thërras të gjithëve ekspertë, juristë e shoqërinë civile dhe mediat që të përcillni me kujdes këtë proces të rëndësishëm të reformës zgjedhore. Duhet të bëhet zgjedhja e drejtpërdrejt e presidentit me votën e qytetarëve.”

Ai ka thënë gjithashtu se duhet të bëhet digjitalizimi i sistemit zgjedhor.

“Kosova të ndahet në pesë zona zgjedhore të cilat do të kenë përfaqësim të qytetarëve në parlament dhe votuesi do të ketë mundësi të gjejë përfaqësuesin e vet brenda Parlamentit,” ka thënë ai.

“Ligji qe kemi sot ka lejuar deforminim e plotë të vullnetit të qytetarëve. Masakrimi i votës së qytetarëve ndodh në momentin e numërimit. Komisionerët bëjnë pazare se cilit kandidat do t’i takojnë votat e partive politike. Në shumicën e rasteve kandidati që ka pasur vëzhgues brenda. Ligji i ri duhet plotësisht, ta largojë këtë hapësirë të manipulimit të votës së qytetarëve.”