Xhaçka në Berlin, bisedime për perspektivën evropiane të Shqipërisë

schedule10:30 - 14 Qershor, 2019

schedule 10:30 - 14 Qershor, 2019

Gjatë vizitës në Berlin, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u prit në një takim nga ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Ursula von der Leyen me të cilën bisedoi rreth intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe perspektivës europiane të vendit tonë.

Ministrja Xhaçka falenderoi homologen Ursula von der Leyen për mbështetjen që qeveria gjermane dhe ajo personalisht i kanë dhënë Shqipërisë, ndërsa vlerësoi rolin e veçantë që Gjermania luan si garante e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Xhaçka dhe Ursula von der Leyen u ndalën gjerësisht tek proceset integruese të vendit drejt integrimit evropian dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

Xhaçka informoi ministren gjermane për rëndësinë e këtij momenti jo vetëm për Shqipërinë, por për rajonin në tërësi.

“Ndamë të njëjtin qëndrim se perspektiva evropiane e Shqipërisë është alternativa e duhur dhe se integrimi i Shqipërisë dhe i rajonit në strukturat euro-atlantike është domosdoshmëri për modernizimin dhe evropianizimin e vendeve tona por edhe domosdoshmëri për sigurinë dhe stabilitetin e Shqipërisë dhe rajonit si pararojë e sigurisë dhe stabilitetit të vetë Evropës”, u shpreh pas takimit ministrja e Mbrojtjes.

Duke u ndalur në zhvillimet e brendshme politike, ministrja Xhaçka njohu homologen gjermane mbi përpjekjet e vazhdueshme që po bën Shqipëria me reformat e vështira, sikurse është reforma në drejtësi.

“Diskutuam edhe për situatën politike në Shqipëri, e cila vjen në një moment jo shumë të përshtatshëm, në prag të vendimit të Këshillit të Ministrave të BE, por në fund të fundit kjo vjen si pasojë e përpjekjeve tona për të modernizuar vendin duke ndërmarrë reforma të vështira, të tilla si reformimi i sistemit të drejtësisë që ka bërë bashkë shumë aktorë antireformistë të cilët kanë arsye për të qenë të frikësuar nga një sistem drejtësie i pavarur”, tha Xhaçka.

Ministrja Xhaçka shprehu bindjen e plotë se Shqipëria, falë edhe mbështetjes së vazhdueshme të aleatëve të saj sikurse është Gjermania, do të ecë përpara drejt procesit të integrimit.

“Unë besoj se Shqipëria ka bërë shumë përpara falë punës, përpjekjes, reformave në interes të vendit dhe të shqiptarëve, por edhe falë mbështetjes së miqve tanë, aleatëve si Gjermania. Jam e bindur që me ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të tyre do të arrijmë të ecim përpara në procesin e integrimit në këtë udhëkryq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe të rajonit dhe do t’ia dalim t’u njohim shqiptarëve gjithë sa meritojnë dhe sa kanë bërë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane”, tha ministrja Xhaçka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!