PD ka synim bashkimin por nismat ligjore i bën të ndara, Sula: Rëndësi ka të dalim në zgjedhje me kandidatë të përbashkët

schedule20:13 - 14 Tetor, 2022

schedule 20:13 - 14 Tetor, 2022

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar sot në Kuvend, projektligjin për Lustracionin. Paketa ligjore, e materializuar në katër nisma ligjore,  u prezantua nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku nga kryesia e Kuvendit.

Kjo nismë e grupimit të Alibeajt vjen vetëm pak disa pasi Oerd Bylykbashki dhe një grup tjetër deputetësh demokratë depozituan një tjetër nismë për Lustracionin.

Pra, ndërkohë që Sali Berisha dhe Grupi i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj kanë mandatuar deputetët e tyre për të negociuar dhe gjetur rrugën për tejkalimin e krizës dhe daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore, nismat ligjore duket se janë  të ndara.

I pyetur, në “Radari Informativ” në ABC rreth kësaj çështjeje, deputeti demokrat Dashnor Sula, thotë se grupimi që ai përfaqëson e ka zero kompleksitetin ndaj pushtetit aktual apo interesave të personave specifikë që artikulohen në media, duke nënkuptuar kështu të kundërtën për grupimin tjetër.

“Një gjë është e sigurt, gjatë këtij 1 viti që unë kam qenë në parlament, ka pasur disa nisma ligjore të ndryshme që janë konkretizuar. Bardhi dorëzoi sot në Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e VKM-së për katet pa leje….E kemi zero kompleksitetin ndaj personave për një projektligj të caktuar, sesa interesat e ‘X’ apo ‘Y’ që artikulohen në mediat. Kemi mendim ndryshe, qasje ndryshe. Qasja jonë përkon me interesin e shoqërisë.”

Por si do të gjendet rruga e bashkimit mes “dy” PD-ve ndërkohë që nismat ligjore vijojnë të jenë “dopio”?

Sula nuk ka një përgjigje të qartë, por ai thekson se prioritet për momentin është që PD të dalë me kandidatët të  përbashkët në zgjedhjet e kësaj pranvere.

“Më vjen keq për kolegë të dy palëve që përgjatë muajve paraardhës kanë pasur një sjellje të një egërsie të gjuhës së përdorur. Unë s’kam pasur një gjuhë të egër që s’e kam as me kundërshtarët e mi politikë e jo më me motrat e vëllezërit demokratë. Disa, fali Zot se nuk dinë ç’bëjnë. Duhet të bashkohemi, zgjedhjet lokale të kemi një kandidat të përbashkët, çdo gjë tjetër është devijim. Ne kundërshtar politik kemi këtë regjim.”

Po ashtu, sipas Dashnor Sulës, nëse do të lindë nevoja që grupimi i Enkelejd Alibeajt të dalë i vetëm në zgjedhje, kapacitetet dhe mbështetja në terren ekziston dhe është kryesisht 50/50 me grupin tjetër. /abcnews.al/