Reali shpenzon miliona euro për të forcuar skuadrën

schedule16:20 - 13 Qershor, 2019

schedule 16:20 - 13 Qershor, 2019

Reali i Madridit ka shpenzuar afërsisht 400 milionë euro për të blerë lojtarë për sezonin e ardhshëm. Klubi i presidentit Florentino Perez, pritet të afrojë edhe yje të tjerë.

Të jemi korrektë deri në fund, këto para nuk do të paguhen të gjitha tani.

Gjithsesi, kur mëson shifrën e 383 milionë eurove të shpenzuara nga Reali i Madridit deri tani në mes të qershorit, padyshim që mbetesh i çmeritur.

Kaq ka nxjerrë nga llogaritë bankare presidenti Florentino Perez, ndërsa fjala është që kërkon edhe nja dy emra të mëdhenj.

Flitet për Pogbanë, dhe njërin prej superyjeve të Paris SG, Mbape apo Nejmar.

Gjithsesi, për çfarë janë shpenzuar gati 400 milionë euro nga madrilenët?

“Blerja” e fundit në “supermarketin” e futbollit është ajo e mbrojtësit të krahut, Ferlan Mendi.

Futbollisti 24-vjeçar i Lionit dhe i kombëtares së Francës kushton 53 milionë euro, nga të cilat 48 milionë jepen tani, dhe 5 milionë si shpërblime të ndryshme më vonë.

Një ditë më parë, Perezi prezantoi sulmuesin Luka Joviç, që kaloi vizitën mjekësore, me kartonin që kushton në total rreth 67 milionë euro.

Nuk mund të harrohet “bomba” e verës, afrimi i Eden Hazarit nga Çelsi për një shumë që, në kompleks, arrin në 170 milionë euro (sipas mediave britanike), nga të cilat 100 milionë jepen tani, dhe të tjerat më vonë.

Reali ka kënaqur Zidanin edhe me afrimin e sulmuesit Rodrigo nga Santosi për 45 milionë euro, dhe të qendërmbrojtësit Eder Militao nga Porto për 48 milionë./ABC News Albania 24/7