Meta nis konsultimet për datën e zgjedhjeve

schedule23:15 - 12 Qershor, 2019

schedule 23:15 - 12 Qershor, 2019

Presidenti i Republikës ka nisur konsultimet me partitë politike për përcaktimin e datës së re të zgjedhjeve vendore. Të parët në zyrën e kreut të shtetit ishin partitë e grupimit të djathtë, të parat që kishin kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Pas takimit Dashamir Shehi tha se nuk është folur për një datë konkrete.

Janë të njëjtët që i kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve.

Tani presidenti i ka thirrur të konsultohet me ta për datën e re të zgjedhjeve vendore.  Partia Republikane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Demokristiane, Partia Basshkimi i të Drejtave të Njeriut dhe Partia Agrare Ambientaliste iu drejtuan zyrës së kreut të shtetit në orën 19 të pasdites së të mërkurës.

Pas afro 40 minutash dolën të buzëqeshur si në takimin e 30 prillit. Këtë të mërkurë i thanë së pari faleminderit kreut të shtetit. Mazhoranca këmbëngul në mbajtjen e zgjedhjeve më 30 Qershor, ndërsa një javë më parë kreu i republikanëve kishte kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve me 6 muaj. Për Dashamir Shehin është ende herët për t’u përcaktuar data.

Opozitarët jashtë parlamentit presin një reagim pozitiv edhe nga mazhoranca. Në të kundërt e pashmangshmja mund të ndodhë sipas tyre.

Pas Grupimit të Qendrës së Djathtë, presidenti Ilir Meta ka pritur edhe kreun e Demokracisë Sociale Paskal Milo. I kontaktuar nga ABC News, Milo tha se ka ndarë me presidentin shqetësimin për krizën politike ku ndodhet vendi e se zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse.

Partia Demokracia Sociale bëhet aleati i parë i Socialistëve, i regjistruar për zgjedhjet e 30 Qershorit që shprehet i hapur për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Presidenti Meta  do të zhvillojë konsultime për një datë të re zgjedhjesh edhe me PD e LSI, ndërkohë që PS vazhon të përsërisë se zgjedhjet vendore do të zhvillohen në 30 Qershor./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!