I ndodhur në Prishtinë me rastin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, ish-presidenti amerikan Bill Klinton ka deklaruar se Kosova meriton të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s. Klinton ka vlerësuar gjithashtu bashkjetesën paqësore të Kosovës me fqinjët, e cila duhet të merret si shembull në rajon.
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton ka zgjedhur që nga hoteli ku po qëndron të ecë në këmbë deri te presidenca e Kosovës. Clinton po qëndron në Kosovë në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Ai është dekoruar nga presidenti me Urdhrin e Lirisë për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës. Clinton tha se Kosova është shembull i demokracisë dhe përkushtimit për të jetuar në paqe me fqinjët.
“Kosova është shembull i demokracisë dhe përkushtimit për të jetuar në paqe me fqinjët, që është diçka që të gjitha shtetet e mëdha dhe të vogla duhet ta bëjnë. Të punojnë brenda dhe jashtë kufijve. Keni mundësinë që ta shfaqni këtë te vendet e tjera në vitet në vazhdim. Kosova meriton të jetë në Unionin Evropian, në NATO si vend i pavarur”, tha Bill Clinton ish-presidenti i SHBA.
“Mbështetja juaj dhe e SHBA ka qenë jetike për lirinë, pavarësinë dhe tashmë në rrugëtimin euroatlantik. Ndaj historia e Kosovës është histori suksesi e përbashkët, ju jeni heroi ynë”, tha Hashim Thaçi presidenti i Kosovës.
Clinton në vitin 1999 ishte president i SHBA-së dhe njëri ndër personat vendimtarë për intervenimin e NATO-s në Kosovë./ABC News Albania 24/7