Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur në nëntor të vitit 2020 dhe, pas gati gjashtë vitesh, pritet të hyjë në fazën e aktgjykimit. Të katër të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit janë deklaruar të pafajshëm.
4–5 nëntor 2020 – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi arrestohen dhe transferohen në Hagë, ku mbahen në paraburgim.
9–11 nëntor 2020 – Të katër të akuzuarit dalin për herë të parë para gjyqtarit dhe deklarohen të pafajshëm.
21 prill 2021 – Pranohen nëntë viktimat e para si pjesëmarrëse në proces.
10 maj 2022 – Të katër të akuzuarit deklarohen sërish të pafajshëm për akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.
15 shkurt 2023 – Pranohen 84 aplikantë të rinj si viktima pjesëmarrëse në proces.
3–5 prill 2023 – Nis gjykimi, me deklaratat hyrëse të Prokurorisë, Mbrojtësit të Viktimave dhe ekipeve të mbrojtjes.
15 prill 2025 – Prokuroria përfundon paraqitjen e provave të saj.
15 maj–5 qershor 2025 – Pranohen edhe pesë aplikantë të rinj si viktima pjesëmarrëse. Pas njoftimit për vdekjen e një viktime pjesëmarrëse, numri i viktimave pjesëmarrëse bëhet 155.
16 korrik 2025 – Trupi Gjykues rrëzon kërkesën e përbashkët të mbrojtjes për pushimin e akuzave.
16–17 korrik 2025 – Mbrojtësi i Viktimave paraqet provat e tij.
15 shtator 2025 – Nis paraqitja e dëshmive nga mbrojtja. Në këtë fazë paraqiten vetëm ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.
2 dhjetor 2025 – Dy ekipet e mbrojtjes përfundojnë paraqitjen e dëshmive të tyre.
18 dhjetor 2025 – Përfundojnë procedurat e paraqitjes së provave.
19 janar 2026 – Të gjitha palët dorëzojnë parashtresat përfundimtare me shkrim.
9–18 shkurt 2026 – Mbahen deklaratat përmbyllëse të palëve.
17 prill 2026 – Dy të afërm të një viktime të ndjerë vazhdojnë pjesëmarrjen në proces, duke e çuar numrin e viktimave pjesëmarrëse në 156.
5 maj 2026 – Trupi Gjykues zgjat me 60 ditë afatin për shpalljen e aktgjykimit, i cili fillimisht ishte paraparë të shpallej deri më 20 korrik 2026.
1 korrik 2026 – Trupi Gjykues cakton 16 shtatorin 2026 si datë për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë.
16 shtator 2026 – Është caktuar shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pas gati gjashtë vitesh nga arrestimi, procesi në Hagë tashmë është në prag të momentit vendimtar: shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë.

