Vllaznia do të presë në “Loro Boriçi” Partizanin për të zhvilluar mes tyre sfidën e javës së 7-të të kampionatit shqiptarë, një takim që do të luhet ditën e nesërme duke nisur që nga ora 17:45.
Kuqeblutë vijnë pas barazimit me Teutën dhe për trajnerin Mirel Josa skuadra duhet të marrë maksimumin ndaj Partizanit për të mos humbur terren nga skuadrat e kreut, po nënvizon gjithashtu se demat kanë lojtarë cilësorë dhe do jetë një ndeshje e luftuar.
Ndeshje nivel derbi – “S’mund t’i themi derbi, sepse nuk janë dy skuadra të një qyteti. Është një ndeshje e rëndësishme, si të gjitha të tjerat. Partizani do të japë maksimumin pas humbjes me Tiranën, sepse është një skuadër që ka lojtarë cilësorë.”
Mungesat – “Mungesat si për njërën skuadër, ashtu edhe për tjetrën, janë pjesë e zhvillimit të kampionatit. Kështu që unë personalisht duhet t’i shikojë gjërat me lojtarët që kam në dispozicion dhe çfarë mund t’i marrë atyre lojtarëve. Por lojtarë që i kemi të dëmtuar, Latifi, Boshnjaku, Heriç nuk do të jenë. Kemi pasur probleme dhe me Hakajn. Do të shohim si do të shkojnë në stërvitjen e fundit sot dhe më pas do të vendosim.”
Mungesa e golave – “Duhet të bëjmë më tepër. Gjithashtu kemi dy ndeshje që nuk pësojmë. Nga njëra anë më ngroh, por nga ana tjetër duhet të kemi kujdes të mos prishim ekuilibrat, duke pasur parasysh lojtarët që do të hedhim në fushë.”
Ndeshje direkte – “Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet. Edhe sikur të ishim në pozita më të mira në klasifikim, edhe sikur të ishim në pozita më këqija në klasifikim, unë do të them të njëjtat fjalë, që ne duhet të fitojmë ndeshjen.”
Oshilacionet – “Luhatjet janë gjëra që janë brenda përbrenda një skuadre futbolli. Po të mos kishim luhatje atëherë do t’i kishim pikët e plota. Nuk ka skuadër që i ka pikët e plota, edhe në kampionatet e tjera. Luhatjet janë brenda përbrenda skuadrës, sepse, përveç nesh që jemi munduar të ndërtonim një skuadër, janë munduar edhe skuadrat e tjera dhe për të plotësuar objektivat e veta që kanë.”
Meqë përmendët Bylisin dhe Erzenin, mos harrojmë që kemi dhe skuadra të tjera, si p.sh. dhe Egnatia me një dy-pikësh që mund të merrte më shumë mund të ishte në këto pozita. Unë mund të them që skuadrat janë aty-aty dhe kujdesi do të jetë i njëjtë.
Nuk flas për skuadra të tjera. Mua më intereson vetëm skuadra ime. Ndeshja e nesërme është një ndeshje mes dy skuadrave që kanë qenë rivale me njëra-tjetrën gjatë gjithë kohës. Nuk do të thotë që gjatë kësaj kohe, kudo ku kanë luajtur, qoftë në Tiranë, qoftë në Shkodër, duhet marrë maksimumi.”
Tifozët – “Tifozeria edhe në Durrës na përkrahu. Edhe ne duam të bëjmë më të mirën, për tifozerinë, veten tonë, skuadrën dhe individin brenda skuadrës. Unë pres nga të gjithë lojtarët të më vënë në pozita të vështira që çfarë të bëj për ndeshjen tjetër.” /f.a/abcnews.al