Rikthehet “Kala Festival” në Dhërmi

schedule15:41 - 11 Qershor, 2019

schedule 15:41 - 11 Qershor, 2019

Mbrëmjen e sotme në Dhërmi rikthehet “Kala Festival”, me fokus promovimin e turizmit. Sipas ministrit Blendi Klosi këtë vit në Shqipëri pritet të vijnë 5 mijë të huaj.

Kala Festival rikthehet në Dhërmi mbrëmjen e të mërkurës. Këtë vit, për herë të parë vjen në dy faza, në datat 12 deri me 19 Qershor dhe 20 deri më 25 Qershor. I dyti festival ndërkombëtar muzikor, pas UNUM që u organizua në veri të Shqipërisë, “Kala Festival” pritet të sjellë në Shqipëri 5 mijë vizitorë të huaj.

“Ajo çfarë ne shohim me shumë interes janë përshtypjet fantastike që kanë pasur pushuesit e një viti më parë dhe kjo ka bërë të mundur që këtë vit ne të kemi 5 mijë të huaj, që kanë prerë tashmë biletat për të qenë dy javë në Dhërmi dhe qindra vizitorë të vendit, duke e çuar në 7 mijë numrin pjesëmarrësve në festivalin e këtij viti”.

Përtej promovimit të Shqipërisë turistike, një tjetër qëllim i festivalit sipas ministrit Klosi është kontributi financiar për komunitetin e zonës.

“Ajo që është më interesante është që me dhjetëra të rinj do të punësohen gjatë këtyre dy javëve, po bëhen planet që vitin që vjen të arrijmë të organizojmë 4 festivale në Dhërmi, gjatë sezonit 2020. Kjo tregon trendin e turizmit shqiptar, i cili po disafishohet në të gjitha aspektet. Shpresojmë shumë që vitin e ardhshëm Shqipëria të shikohet si destinacion për turizmin rinor dhe të muzikës”.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjithashtu vlerësoi punën e institucioneve lokale./ABC News Albania 24/7