Gjermani-Spanjë: Shtysë e re për gazsjellësin e Pireneve

schedule08:31 - 6 Tetor, 2022

schedule 08:31 - 6 Tetor, 2022

Berlini dhe Madridi duan të vazhdojë ndërtimi i gazsjellësit MidCat, kurse Franca bën rezistencë. Përfundimi i gazsjellësit një ndër temat kryesore në takimin gjermano-spanjoll të nivelit të lartë.

Gjermania dhe Spanja nuk heqin dorë. Qeveritë e të dy vendeve po rrisin presionin për të bindur Francën, se mbarimi i ndërtimit të një gazsjellësi europian Jug- Veri që kalon nëpër Pirene është me rëndësi. Deri tani presidenti francez Emmanuel Macron e ka kundërshtuar projektin duke thënë, se nuk ia vlen si ekonomikisht ashtu dhe nga pikëpamja e politikës së mjedisit. Gazsjellësi 300 kilometra i gjatë, ndërtimi i të cilit është pezulluar më 2019, do të transportonte në Europën Qendrore gazin e shumtë të impianteve spanjolle të gazit.

“Gazsjellësi do të kontribuonte shumë për qetësimin e gjendjes në furnizimin me gaz,” thotë kancelari gjerman Olaf Scholz, kur kërkon vazhdimin e ndërtimit të gazsjellësit. “Berlini dhe Spanja janë të një mendimi, se ne kemi nevojë për më shumë rrjete europiane energjie, qoftë për gazin, qoftë për rrymën,” theksojnë edhe diplomatët e Madridit.

Gazsjellësi Midcat ishte në qendër të axhendës së takimit të nivelit të lartë qeveritar gjermano- spanjoll të mërkurën (5.10) në qytetin spanjoll, A Coruñ buzë Atlantikut. Jo shumë larg qytetit, në portin Mugardos, ndodhet një nga gjashtë terminalet e gazit që ka Spanja, – ndërkohë që Gjermania nuk ka pasur deri tani asnjë.

Në këtë terminal janë lidhur cisternat gjigande të mbushura me gaz të lëngshëm, që në rastin e Spanjës vijnë kryesisht nga SHBA, Algjeria dhe Nigeria. Në impiante gazi i lëngshëm, që anglisht quhet “liquefied natural gas”, shkurtimisht edhe LNG,  kthehet sërish  në gaz.

Në vitin 2023 Spanja do të nisë punën në një nga terminalet e gazit në portin e Atlantikut, në qytetin spanjollo-verior të Gijónit. Sipas të dhënave të operatorit Enagas, vetëm në Gijón mund të përpunohen çdo vit 100 cisterna, ngarkesa me LNG e të cilave i përgjigjet tetë miliardë metrave kubikë gazi natyror – pothuajse 15 përqind e sasisë, që vinte më parë në Gjermani nga Rusia me gazsjellësin Nordstream 1.

Spanien La Coruna | Deutsch-Spanische Regierungskonsultationen | Olaf Scholz, Pedro Sanchez und Robert HabeckKonsultimet qeveritare gjermano-spanjolle, 5 tetor 2022

Gati një e treta e terminaleve LNG të Europës ndodhet në Spanjë

“Ne zotërojmë infrastrukturën më të madhe të gazit të lëngshëm në Europë,” thotë krenar kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez. Spanja ka 30 për qind të gjithë kapaciteteve që ndodhen brenda BE-së. Spanja i ofron Gjermanisë dhe gjithë vendeve të tjera europiane që kanë probleme në furnizimin me gaz, që të përdorin këto kapacitete, sepse impiantet spanjolle nuk shfrytëzohen sa duhet.

“Ne duam të kontribuojmë në rritjen e sigurisë së Europës për t’u furnizuar me gaz,” thotë ministrja spanjolle e Energjisë, Teresa Ribera. Kryeministri Sánchez, mendon madje që ta kthejë vendin e tij në portën europiane për LNG: “Spanja ka shansin të kthehet në treg eksportues të gazit të lëngshëm duke u kthyer në mundësi për të zëvendësuar gazin rus për shumë vende të BE-së.”

Kjo tingëllon joshëse. Por në praktikë ka disa probleme për të zgjidhur. Për shembull: Si do të vinte gazi nga terminalet spanjolle në Europën Qendrore? Sepse që me largimin e Francës, planet për ndërtimin e plotë të gazsjellësit Jug – Veri nga Spanja në Francë dhe lidhjen e tij me rrjetet europiane të gazit, kanë përparuar pak.

Spanien La Coruna | Deutsch-Spanische Regierungskonsultationen | Olaf Scholz und Pedro Sanchez Olaf Scholz dhe Pedro Sanchez

Macron vazhdon të jetë skeptik

“Ne nuk kemi nevojë për lidhje të tjera gazi,” tha presidenti francez Macron, pas një bisede me kancelarin gjerman Scholz në muajin shtator. Dy gazsjellës të vegjël, që ekzistojnë tashmë midis Spanjës dhe Francës nuk janë shfrytëzuar as tani, muaj të tërë pas shpërthimit të luftës ruse kundër Ukrainës dhe mungesës së gazit që pasoi prej saj. Përveç kësaj, do të zgjaste kohë deri sa të përfundonte ndërtimi i gazsjellësit të ri që do të kalonte nëpër Pirene.

Shkurtimisht: Ideja, se MidCat mund të zgjidhte në një kohë të shkurtër problemet aktuale që ka Europa me furnizimin me gaz, është “krejtësisht e gabuar”, deklaroi Macron. “Unë nuk e kuptoj, pse duhet t’i vijmë vërdallë kësaj teme, si dhitë e Pireneve.” Megjithatë Macron tregon gatishmëri për të zhvilluar dialog. As kancelari gjerman Scholz, as kryeministri spanjoll Sánchez nuk kanë qenë në gjendje deri tani ta bindin Macronin për MidCat-in. Por, nëse do të ketë argumente të reja, ai është i gatshëm të rimendojë pikëpamjen e tij.

Pra dera për të arritur një marrëveshje nuk është mbyllur krejt. Ose siç thotë ministrja spanjolle e Energjisë, Ribera: “MidCat nuk është varrosur.” Me interes pritet të shihet, se cilat janë argumentet që do të përdorë Berlini dhe Madridi për të kapërcyer pengesat e ngritura nga Parisi.

Emmanuel MacronMacron nuk është i bindur për MidCat

Perspektiva e hidrogjenit të lëngshëm për të marrë para nga Brukseli

Mbase me argumentin që po përdoret gjithnjë e më shumë, se ndërtimi i MidCat mund të jetë me përfitim pavarësisht nga gazi? Për shembull për të ardhmen ekologjike të gasjellësit, duke mos transportuar nëpër tuba lëndë djegëse fosile, por hidrogjen të lëngshëm  – perspektiva e hidrogjenit të lëngshëm mund ta lehtësonte me subvencione të BE-së projektin miliardash të MidCatit. Ose me idenë që është duke u thënë me zë të lartë në Madrid, se në rast nevoje në vend të Francës lidhja mund të vendosej me fqinjin mesdhetar, Italinë.

Ndërtimi i MidCatit, nga Martirelli spanjolloverior në Barbairan francezojugore, 300 kilometra i gjatë, ka filluar që në vitin 2013. Inxhinierët kanë shtruar 86 kilometra tuba në anën spanjolle. Pastaj u ndalua ndërtimi në vitin 2019, sepse Parisi por edhe Madridi dhe Brukseli filluan të kenë dyshime për efikasitetin ekonomik të tij, derisa lufta në Ukrainë e solli projektin e ngrirë sërish në rendin e ditës.

/DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!