Opozita paralajmëroi një vjeshtë të nxehtë protestash, por teksa shtatori kaloi asnjë protestë nuk u organizua nga PD.
Të ftuar në emisionin “Bardh a Zi”, në Abc të moderuar nga Ornela Gaçe dhe Erion Kristo, anëtari i Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo, gazetari Poli Hoxha dhe avokati Leonard Karaj debatuan lidhur me këtë temë. Sipas avokatit dhe gazetarit PD ka probleme të brendshme dhe deri tani janë shumë larg asaj që pretendojnë. Por për Bozdon, protestat janë pjesë e një strategjie më të madhe.
Pjesë nga biseda:
Bozdo: Protesta do të shikoni, por protestat janë pjesë e një strategjie më të madhe. Për ne ka rëndësi rezultati i zgjedhjeve vendore.
Hoxha: Ende nuk po gjen veten, jo vetëm në bashkim por as në frymë dhe në aksion. Ka probleme të brendshme.
Karaj: Shpresa me PD momentalisht kanë mbetur një iluzion. Deri tani jemi shumë larg asaj që pretendohet.
Pse nuk u mbajt premtimi për protesta nga ana e opozitës gjatë shtatorit?
Bozdo: Pavarësisht se çfarë thotë Rama që ra shi dhe u mbush rezervuari, PD-ja ka folur për stinë protestash. T’i kalendarosh brenda shtatorit nuk është e drejtë. Ne kemi disa procese të brendshme në PD që kanë të bëjnë me forcimin e strukturave. Qëllimi nuk është të bëj një protestë të madhe dhe pastaj të iki në shtëpi. Problemi këtu është që atë energji që kemi do ta fokusojmë në rindërtimin e partisë.
Hoxha: Revolucioni mund të zgjasë një muaj, 3 muaj, një vit, citim Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka.
Bozdo: Për të treguar që çdo gjë ka kohën e vet.
Hoxha: Unë e shikoj një revolucion të kohës së ardhme dëshirore.
Karaj: Unë besoj që sot në Shqipëri ka më shumë opozitarizëm se sa vetë PD-ja në vetvete. Fakti që ka kaq shumë opozitarizëm dhe nuk miklohet në PD, tregon që nuk ka besim.
A bie Rama me protesta?
Karaj: Ka ndodhur ndonjëherë që është rrëzuar një qeveri me protesta? Nuk ka ndodhur asnjëherë. PD dhe gjithë opozita do duhet të investohet shumë më shumë te idetë që do përçojë. Njerëzit janë të lodhur me idenë e protestës.
Bozdo: Protestat si instrument në vetvete, të bëjmë protestë për hir të protestës në vetvete do çojë në dështim. Nëse e fut në një strategji më të madhe që është një piano me disa taste dhe krijon një melodi…pianon po e shikoni çdo ditë. Kjo PD që vjen në shtator nuk është një PD që ka ardhur nga normaliteti. Shiko ku jemi pas 6 muajsh. Vula të bën të paturpshëm, por jo legjitim. Ne jemi opozita.
Hoxha: Nëse ka një vend që duhet të ketë protesta 24 orë në 24 është Shqipëria. ne ngecemi protestë për të ardhur në pushtet. Jo. Protesta është një mjet demokratik i domosdoshëm që i bën presion Shqipërisë. Vetëm 2 protesta e kanë frikësuar Edi Ramën, e armëve kimike dhe e studentëve. Ishin protesta me moral, tipike qytetare./Abcnews.al/