Nga Carlos Santamaria, Gzero
A do të përdorë Vladimir Putin armët bërthamore në Ukrainë?
Kjo është dilema kryesore, duke vënë në dukje se, në këtë fazë, presidenti rus as nuk po humb, por sigurisht nuk po e fiton luftën. Ndërsa Rusia ka në kontroll më shumë territor se sa kishte para pushtimit, gjërat nuk po shkojnë siç duhet për Kremlinin.
Putini u detyrua të njoftonte mobilizimin e pjesshëm ushtarak. Përpjekja e Putinit për të fituar me çdo kusht mund ta detyrojë atë të ndërmarrë hapa që duken shumë serioze dhe potencialisht të tmerrshme.
Me presionin në rritje, lëvizja e tij e radhës duhet të jetë një goditje aq e madhe sa të tejkalojë të gjithë të tjerët: Një sulm bërthamor.
Presidenti rus tashmë ka lënë të kuptohet për këtë mundësi, ndërsa Uashingtoni dhe NATO po shqyrtojnë se si mund të reagojnë për të dhënë përgjigjen e nevojshme.
Të gjithë skenarët
A mundet Putini të “shtypë butonin” për të lëshuar një armë bërthamore taktike për të goditur objektivat ushtarake, jo qytete të tëra?
Fuqia shkatërruese e një arme bërthamore mund ta kthejë valën e luftës në favor të Rusisë. Edhe një sulm bërthamor me intensitet të ulët mund të zhdukë të gjitha njësitë ushtarake ukrainase në pak minuta, raporton abcnews.al.
Gjithashtu do t’u jepte kohë rusëve për të rigrupuar forcat e tyre për të zmbrapsur kundërsulmin e vazhdueshëm ukrainas. Putini ka disa opsione të tjera: Ai mund të urdhërojë një përshkallëzim të sulmeve kibernetike, të vazhdojë me sabotimin që do të dëmtonte seriozisht sigurinë energjetike europiane, ose të zgjedhë rrugën e sulmeve më intensive konvencionale në qytetet dhe infrastrukturën e Ukrainës.
Megjithatë, asnjë nga këto opsione nuk ka fuqinë e përdorimit të një arme bërthamore. Kjo mund ta trembë Kievin deri në atë masë sa ta detyrojë të pranojë kushtet ruse për “paqe”, domethënë të pranojë humbjen e 15% të territorit të vendit.
Me fjalë të tjera, SHBA dhe NATO të përgjigjen, por jo me të njëjtën monedhë. Përveç një paralajmërimi për “pasoja katastrofike”, Perëndimi nuk ka qenë mjaftueshëm i qartë se çfarë do të bëjë nëse Putini “shtyp” butonin bërthamor.
Të mos bësh asgjë nuk është një pikënisje ideale për një përgjigje, por si SHBA ashtu edhe aleatët e saj në NATO duken të kujdesshëm ndaj perspektivës së një përshkallëzimi të rrezikshëm me Rusinë.
Ata thjesht mund të ashpërsojnë sanksionet dhe të dërgojnë armë më të avancuara në Ukrainë – skenari më i mirë për Putinin. Presidenti rus mund të provojë një sulm taktik bërthamor si karrem për NATO-n, në mënyrë që të nxisë një konflikt mes tyre- diçka që Putini e ka dashur që nga fillimi.
Sulmet ajrore të SHBA-së mund të zhdukin shumicën e forcave ruse brenda Ukrainës dhe të fundosin të gjithë flotën e saj në Detin e Zi. Putini mund të tërhiqet nëse beson se çmimi është shumë i lartë.
Analiza vazhdon me një parametër shtesë: Putini mund të humbasë dy aleatët e tij më të fuqishëm nëse vendos të përdorë armët bërthamore në Ukrainë. Xi Jinping i Kinës dhe Narendra Modi i Indisë janë të pakënaqur me mënyrën se si po shkon lufta.
Nuk dihet se çfarë i thanë së fundmi Putinit se si do të reagonin ndaj një sulmi bërthamor rus. Por presidenti rus e di se cilat janë synimet e Pekinit dhe Nju Delhit, ndaj kjo pritet të ndikojë në çdo vendim që ai merr.
Përgjigja e Kinës ose e Indisë mund të variojë nga një përgjigje e butë në një jashtëzakonisht e ashpër: nga një ndëshkim në OKB deri te ndërprerja e lidhjeve ekonomike me Moskën.
Dhe vetëm kërcënimi në lidhje me naftën dhe gazin rus, të cilin Putini duhet ta shesë për të furnizuar makinën e tij të luftës ka të ngjarë të frenojë liderin rus.
Por kjo e gjitha është një rrugë pa kthim.
Nëse Putini kalon atë vijë, të gjitha opsionet e tjera përjashtohen. Ndoshta, përsëri, udhëheqësi rus e ka vendosur tashmë dhe pyetja nuk është ” nëse ” por ” kur ” ai do të urdhërojë sulmin e parë bërthamor që nga Lufta e Dytë Botërore.
/abcnews.al