Numri dy i qeverisë italiane Mateo Salvini ka deklaruar se Italia nuk do të bjerë pre e masave ndëshkuese nga Bashkimi Europian. Salvini ka shprehur bindjen se Roma dhe Brukseli do të arrijnë një marrëveshje mbi nivelin e lartë të borxhit italian.
Zëvendës kryeministri i Italisë, Mateo Salvini është shprehur besimplotë se Roma do të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Europian në lidhje me financat publike. Italia rrezikon t’i nënshtrohet masave disiplinore nga Brukseli në lidhje me borxhin e saj prej 2.3 trilionë eurosh, që është 1.3 herë më i lartë se prodhimi i brendshëm e që në ambjentet e Eurozonës vjen vetëm pas borxhit të Greqisë.
Më herët kryeministri Xhuzepe Konte, në një intervistë për një gazetë vendase deklaroi se tregjet financiare mund të tronditen dhe normat e kreditimit të bien nëse masat ndëshkuese hyjnë në fuqi. Por Salvini, partia e të cilit doli më e fortë nga raundi i dytë i zgjedhjeve lokale i mbajtur të dielën në Itali, dha garancinë e tij se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
“Gjëja e fundit që duam është të përfshihemi në një luftë me Europën. Por e vetmja gjë për të cilën nuk mund të bëj kompromis është nevoja për të reduktuar kuotën e papunësisë së Italisë”, deklaroi Salvini.
Ai shprehu bindjen e tij se është gjithashtu në interesin e Europës që të ketë një Itali që ecën përpara dhe jo një Itali që pengohet.
“Ndaj jam i bindur se mes njerëzve të arsyeshëm mund të arrihet një marrëveshje”, tha numri dy i qeverisë italiane./ABC News Albania 24/7