Projekti kulturor “Ura me tri harqe” prej vitesh ballafaqon artistët e rinj të Shqipërisë, Prishtinës dhe Kosovës. Ata përfaqësohen në arte pamore, në arte skenike dhe film.
“Ura me tri harqe”, është projekt i përbashkët kulturor i tre Universiteteve të Arteve, Shqipëri, Prishtinë, Tetovë. Ky projekt kulturor tashme është kthyer në një sfidë për studentët e Fakultetit të Arteve të tre universiteteve shqiptare, të cilët me punimet e tyre dëshmojnë talentin dhe shprehin vizionin e tyre mbi artin.
Por, gjithashtu është edhe një mundësi për shkëmbimin e ideve dhe ndërveprimin praktik, jo vetëm të studentëve, por edhe të pedagogëve dhe pse jo edhe të publikut.
Pas ekspozitave, koncerteve dhe shfaqjeve të realizuara në Prishtinë e Tetovë, tashmë, harku i tretë përmbyllet në Tiranë me ekspozitën, ku prezantohet krijimet më të mira në artet pamore në pikturë dhe skulpturë për t’u përmbyllur në ditët në vijim me shfaqje filmash të shkurtër realizuar prej studentëve.
Punimet në pikturë janë nga më të larmishmet, mes temave sociale, portrete, peizazhe natyra të qeta dhe nudo. Ky projekt lindi në vitin 2000 pas Luftës së Kosovës dhe pas disa vitesh u ndërpre, duke u rikthyer sërish si domosdoshmëri bashkëpunim mes tre vendeve në fushën e artit./ABC News Albania 24/7