Këshilli Teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka miratuar projektin e rishikuar të rrethrrotullimit në sheshin “Shqiponja” në Tiranë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku deklaroi se puna do të nisë së shpejti dhe parashikohet të përfundojë brenda 24 muajve.
E tillë pritet të jetë hyrja kryesore e Tiranës pas rreth dy vjet e gjysmë. Këshilli teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka miratuar projektin e rishikuar të rrethrrotullimit në sheshin “Shqiponja”. Drejtoresha Sonila Qato dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku shpjeguan detajet.
“Nuk kemi më atë barrierën e një mbikalimi, por është një projekt i harmonizuar me nënkalim dhe krijimin e sipërfaqeve të reja të gjelbërta”, tha Balluku.
Ky projekt i ka dhënë zgjidhje dhe kalimit të këmbësorëve, një problematike e hasur në projektin fillestar.
“Në projektin e parë ishte parashikuar lëvizja e tyre me tunele nëntokësore si dhe kalimin e automjeteve direkt në kryqëzimin e Laprakës dhe të Zogut të Zi, gjë e cila do të sillte bllokim të këmbësorëve në këto dy pika. Zgjidhje përsëri me tre nivele, por duke vendosur përsëri lëvizjen e këmbësorëve dhe të trafikut lokal të zonës në nivelin zero. Projekti siguron lëvizjet e rrjedhshme të automjeteve në nivelet nëntokësore”, tha Qato.
Automjetet parashikohet të lëvizin me 80 km/h. Shpejtësia do të reduktohet në 40 km/h në kthesat e nënkalimeve ndonëse nuk parashikohen ndalesa. Zbatimi i projektit pritet të nisë së shpejti. Paralelisht do të punohet dhe në lotet e tjera të Unazës.
“Menjëherë do të nisim procedurat ligjore të garës për këtë objekt si dhe hapjen e kantierit për implementimin e punimeve. Tashmë që vendimi i qeverisë për shpronësimin e pronarëve që preken nga ky projekt është i miratuar. Sqarojmë që gjurma e shpronësimit të parë është ruajtur edhe në këtë projekt të dytë me disa modifikime teknike në funksion të realizimit të këtij projekti madhor”, tha më tej Qato.
Investimi që synon përmirësimin e trafikut dhe në të ardhmen krijimin e një tjetër qendre për Tiranën do të kryhet nga qeveria. Vlera e tij parashikohet e njëjtë si në projektin fillestar rreth 2 miliardë e 696 milionë lekë./ABC News Albania 24/7