“Piranjat” në Abc të moderuar nga Florjan Binaj dhe Arilena Ara, mbrëmjen e kësaj të diele kanë sjellë një histori vërtetë trishtuese por edhe shprese, përballjen e fëmijëve të vegjël me sëmundjen e leuçemisë.
Përmes kameras së “Piranjave” nënat e fëmijëve, mjekët, psikologët por edhe vetë të vegjëlit tregojnë përjetimet e tyre kur mësojnë se janë prekur nga kjo sëmundje.
“Mu duk sikur mu shemb bota mbi kokë”, u shpreh një nga nënat për momentin kur mësoi se fëmija i saj ishte prekur nga Leuçemia.
Ndërsa për mjekët t’i thuash prindit për sëmundjen e fëmijës është një nga momentet më të vështira. Sipas tyre edhe pse janë profesionistë, shpesh gjenden në situata tepër të sikletshme por edhe mes tensionesh dhe emocionesh të forta, pasi për prinin fëmija është më shumë se “drita e syve”, dhe një moment i tillë do mjaft delikatesë.
Por fëmijët, janë shpesh ata që edhe pse të prekur nga kjo sëmundje e rëndë, shpresojnë dhe qeshin, madje pozitivitetin ua përcjellin edhe prindërve të tyre, të cilët sikur e thamë më lartë “iu ka rënë bota mbi kokë”.
“Unë dua të qesh, pasi nëse mërzitem atëherë do të shtrohem sërish në spital”, thotë Luna e vogël, e cila duket se ka vendosur me gjithë energjinë e shpirtit të saj dhe me çiltërsinë fëmijërore t’i bëjë ballë kësaj sëmundjeje të rëndë duke e sfiduar atë e të vazhdojë të jetojë.
Por përveç sëmundjes, ditëve të stërzgjatura në spitale, një tjetër problem mjaft i madh për prindërit e fëmijëve të prekur nga leucemia dhe kanceri, janë shpenzimet e larta financiare.
Ata apelojnë përmes emisionit “Piranjat” që shteti por dhe çdokush tjetër që ka dëshirë, t’i ndihmojë sado pak për tu zbutur të paktën goditjen e madhe financiare, pasi për dhimbjet dhe luftën ndaj së keqes ata i kanë shpresat tek mjeku dhe Zoti…
/Taulant Halili/ Abcnews.al/