Vrasja e 22-vjeçares Mahsa Amini, protesta në mbarë botën në shenjë solidariteti me popullin e Iranit

schedule15:16 - 1 Tetor, 2022

schedule 15:16 - 1 Tetor, 2022

Ditën e sotme do të mbahen protesta në dhjetëra qytete në mbarë botën në shenjë solidariteti me protestat në Iran që kanë shpërthyer pas vdekjes së Mahsha Amini.

Protestat në Iran, shtypja e të cilave ka marrë jetën e të paktën 83 personave, filluan pas vdekjes më 16 shtator të një 22-vjeçare , tre ditë pasi ajo u arrestua për mosrespektim të kodit të veshjes.

Autoritetet iraniane, të cilat mohojnë çdo përfshirje të forcave të sigurisë në vdekjen e Amini, kanë arrestuar qindra protestues. Protestat që përfshijnë diasporën iraniane janë planifikuar të zhvillohen sot në më shumë se 150 qytete në mbarë botën, nga Tokio në San Francisko dhe Londër.

Protestuesit brohoritën “bëhu zëri ynë” në Brisbane, Australi, ku organizatorët thanë se mijëra iranio-australianë i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i mbështesë ata në luftën e tyre për liri.

Në Tokio, demonstruesit mbanin fotot e 22 vjeçares, por edhe pankarta ku shkruhej “Nuk do të ndalemi”.

“Ka ardhur koha që liderët e Iranit t’i kushtojnë vëmendje kësaj thirrjeje ndërkombëtare dhe t’i japin fund dhunës kundër popullit të tyre,” tha i dërguari i SHBA në Iran, Robert Maley në një mesazh në  Twitter.

Në ditën e 15-të të protestave, iranianët dolën në rrugët e qytetit Sakez, në provincën Kurdistan, sipas imazheve të transmetuara nga organizata joqeveritare Iran Human Rights me seli në Oslo.

“Gra, jetë, liri”, brohoriste një grup burrash dhe grash në një rrugë, duke përsëritur një nga parullat kryesore të lëvizjes.

Që nga fillimi i mobilizimeve, OJQ-të janë ankuar për shtypjen e forcave të sigurisë dhe numrin e të arrestuarve. Më shumë se 1200 protestues janë arrestuar, duke përfshirë avokatë, gazetarë dhe aktivistë.

Gjithashtu ka pasur informacione për demostrata në universitet ku kërkohet lirimi i studentëve të arrestuar.

/abcnews.al