Ministrat e jashtëm të BE-së kanë rënë dakord të përgatisin paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë dhe të rrisin dërgesat e armëve në Kiev, shkruan The Guardian.
27 ministrat e jashtëm të bllokut ndodhen në Nju Jork për mbledhjen vjetore të liderëve botërorë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se njoftimi i Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm – i cili përfshinte lëvizje për aneksimin e një pjesë të territorit ukrainas dhe kërcënimin për përdorimin e armëve bërthamore për të mbrojtur Rusinë tregonte panik dhe dëshpërim.
“Është e qartë se Putini po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën,” u tha Borrell gazetarëve pasi ministrat u takuan për të vendosur se si të përgjigjen.
Pasi u informuan nga ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, ministrat ranë dakord të ngarkojnë ekipet e tyre për të përgatitur një paketë të tetë sanksionesh që do të synonte “sektorë më të rëndësishëm të ekonomisë ruse dhe do të vazhdonte të synonte njerëzit përgjegjës për luftën e agresionit në Ukrainë”, tha Borrell.
Ministrat e BE-së do të mbajnë takimin e tyre të ardhshëm zyrtar në mes të tetorit, kur një paketë sanksionesh mund të zyrtarizohet.
Ministrat ranë dakord gjithashtu të rrisin furnizimet me armë në Ukrainë. Borrell nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme mbi sanksionet apo mbështetjen ushtarake, por tha se besonte se do të kishte mbështetje “unanime” brenda bllokut për masa të reja.
/abcnews.al