Shtetet e Bashkuara kanë njohur zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Në një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Donald Trump njoftoi edhe për zhvendosjen e Ambsadës Amerikane nga Tel Avivi për në Jeruzalem.
Ditë më parë ai zhvilloi biseda telefonike me liderët e Palestinës, Izraelit dhe Jordanisë lidhur me këtë çështje. Por të mërkurën, presidenti amerikan, Donald Trump doli në një konferencë për shtyp për të konfirmuar vendimin e tij për të pranuar se Jeruzalemi është kryeqyteti i Izraelit.
Donald Trump, President i SHBA: “Gjatë gjithë këtyre viteve, presidentët që kanë përfaqësuar Shtetet e Bashkuara nuk kanë pranuar të njohin zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit. Në të vërtetë, nuk kemi pranuar asnjë kryeqytet të Izraelit. Por sot më në fund ne e pranojmë atë që është e qartë. Jeruzalemi është kryeqyteti i Izraelit. Kjo nuk është asgjë më shumë ose më pak se një njohje e realitetit. Është gjithashtu gjëja e drejtë për të bërë. Është diçka që duhet bërë”.
Vendimin, kreu i Shtëpisë së Bardhë e arsyetoi duke thënë se nuk zgjidhet konflikti në Lindjen e Mesme duke ndjekur qasjen e vjetër. Gjithashtu, Trump konfirmoi edhe zhvendosjen e selisë diplomatike të Shteteve të Bashkuara.
“Do të udhëzoj Departamentin e Shtetit për të filluar përgatitjet për lëvizjen e Ambasadës Amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem. Ky vendim nuk ka për qëllim në asnjë mënyrë për të pasqyruar një largim nga përkushtimi jonë i fuqishëm për të lehtësuar një marrëveshje të qëndrueshme për paqe. Ne dëshirojmë një marrëveshje që është e mirë për izraelitët dhe palestinezët”.
Në fjalimin e tij, presidenti amerikan ritheksoi se administrata e tij mbështet akoma zgjidhjen me dy shtete për konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Megjithatë analistët kanë theksuar se lëvizja e fundit e administratës Trump ka ndezur dhe më shumë tensionet mes dy vendeve. Madje disa prej tyre shprehen se ky vendim i ka dhënë fund shpresave për arritjen e paqes.
Në fund të konferencës, Trump firmosi edhe dekretin me të cilin SHBA njeh zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit./abcnews.al