Pas rekomandimit të fundit për fillimin e negociatave me BE-në, pyetja e radhës është se sa do të jetë e gatshme BE-ja për zgjerimin. Deklarata është bërë nga ambasadori i Francës në Shkup Kristian Timonie. Ndërkaq, në një debat për eurointegrimin, profesorë universitarë nga Shkupi propozuan që Maqedonia e Veriut të ndahet nga pakoja me Shqipërinë në BE.
Profesorë universitarë në Shkup janë të mendimit se Maqedonia e Veriut duhet të ndahet nga paketa me Shqipërinë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, pasi sipas tyre Shkupi ka bërë më shumë përpjekje dhe ka më shumë mundësi që të fitojë datë më së voni në fillim të vitit të ardhshëm.
Marjan Gjurovski, profesor universitar: Republika e Maqedonisë së Veriut të ndahet nga pakoja me Shqipërinë, sepse mundësitë për gjendjen e vendit tonë janë më pozitive. Pavarësisht se data do të jetë në qershor ose në fund të këtij viti, fillimi i bisedimeve me BE-në nuk varet nga vendi ynë, duke pasur parasysh atë se ne në këtë moment detyrat tona i kemi plotësuar.
Ambasadori i Francës në Shkup Kristian Timonie, i pyetur rreth datës së negociatave tha se për të do të vendosin vendet anëtare të BE-së.
Kristian Timonie, ambasador i Francës: Sa i përket Francës, presidenti Macron para pak kohësh e prezantoi strategjinë franceze për Ballkanin Perëndimor. Një pjesë të asaj strategjie e kemi vendosur për të ju ndihmuar në përgatitjet e bisedimeve qasëse. Këtu do të mbahet edhe punëtoria e katërt, në kuadër të aktiviteteve që i organizojmë në kornizë të Sekretariatit për Çështje Evropiane, me këtë ndihmojnë që të përgatitet ky institucion për hapjen e bisedimeve.
Këto komente u bënë në debatin akademik “Ndikimi i zgjedhjeve të Bashkimit Evropian ndaj procesit të integrimeve të Ballkanit Perëndimor me vëmendje të veçantë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, në organizim të Shoqatës Maqedonase të Shkencave Politike dhe rektoratit të Universitetit të Shkupit./ABC News Albania 24/7