Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi prezantoi në seancën e sotme në Kuvend dy marrëveshjet për sigurinë mes Shqipërisë, Britanisë si dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Çuçi theksoi mes të tjerash se këto dy akte që miratohen sot në Kuvend i mundësojnë autoriteteve të sigurisë më shumë instrumente për të luftuar grupet kriminale, por jo vetëm që veprojnë në këto dy vende.
Gjithashtu, ministri tha se kjo marrëveshje me Britaninë do të dekurajojë emigracionin e paligjshëm dhe “skllavërinë moderne”, siç e quajti ai.
“Në këtë klimë, vijnë edhe këto dy marrëveshje që sjellim sot. Qoftë ajo me Britaninë e Madhe që adreson migracionin e paligjshëm, qoftë ajo me Emiratet e Bashkuara Arabe.
E para siç thashë lidhet me bashkëpunimin me Britaninë e Madhe në fushën e emigracionit të paligjshëm. Është përgjegjësi e jona që si vend ku në Britani janë qindra e mijëra shqiptarë që të dekurajomë skllavërinë moderne si një fenomen i ri që po shfaqet në shumë vende. Dhe dekurajon emigracionin e paligjshëm. Duke u ndalur te shqetësimi i palës britanike, nëpërmjet kësaj marrëveshje që midis dy vendeve të kemi një shkëmbin të informacionit që ka lidhje me të dhëna sensitive. Të penalizojmë ata që organizojnë trafikun dhe jo viktimat.
Në kuadër të kësaj marrëveshje kemi rëndë dakord që të shtojmë prezencën tonë në Britani me një oficer ndërlidhës për të garantuar zbatimin e kësaj marrëveshje.
Ndërsa marrëveshja me Emiratet vjen pas një klime të mirë bashkëpunimi. Sjellim këtë marrëveshje që të adresojmë luftën kundër këtyre grupeve të krimit të organizuar dhe për të adresuar luftën kundër terrorizmit. Nuk është e lehtë të bësh marrëveshje të kësaj natyre me Emiratet. Shumë vende të BE nuk kanë arritur dot. Kjo është arritur në një moment shumë të mirë bashkëpunimi që kemi ne me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Aktet që do të ratifikojnë sot iu mundësojnë autoriteteve të sigurisë më shumë instrumente të dorë që tu përgjigjen shkelësve të ligjit pavarësisht se ndodhen në Britani apo Emiratet e Bashkuara Arabe”, deklaroi ministri. /abcnews.al